Tubimin vjetor të partisë së saj, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e mbylli me thirrjet jo vetëm për mbrojtjen e arritjeve të qeverisë së saj, por edhe drejtuar Europës të forcojë aftësitë e veta mbrojtëse, sidomos në kohën kur administrate e Donald Trumpit po lëshon sinjale të një ndryshimi të strategjisë së saj të sigurisë, dhe një tërheqjeje të mundshme nga angazhimet në kontinentin e vjetër.
Nga Castel Sant’Angelo në Romë, Meloni deklaroi se Trump e kishte bërë të qartë se SHBA-të kanë ndërmend të shkëputen nga Europa dhe se europianët duhet të jenë të përgatitur.
“Trump e ka pohuar me shumë vendosmëri se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të shkëputen dhe europianët duhet të organizohen për të mbrojtur veten. Për tetëdhjetë vjet ne ia kemi dorëzuar sigurinë tonë SHBA-së duke u shtirur se ishte falas, por kishte një çmim për t’u paguar dhe ky çmim quhet kushtëzim. Liria e ka një çmim”, tha Meloni.
Komentet e Melonit vijnë në mesin e tensioneve midis BE-së dhe administratës Trump. Kryeministria italiane i hodhi poshtë pretendimet se ka një krisje në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Megjithatë, sërish apeloi për një strukturë mbrojtëse europiane më të fortë, e të aftë të angazhohet me fuqitë globale në kushte të barabarta.




















