Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka hedhur poshtë të martën një sulm të ashpër ndaj demokracive evropiane nga administrata Trump, e cila lëshoi një dokument strategjik javën e kaluar duke deklaruar se kontinenti përballet me “zhdukje qytetërimi”.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, e bërë publike javën e kaluar, shkaktoi tronditje në të gjithë Evropën, pasi me një ton të ashpër akuzonte qeveritë evropiane për “përmbysje të proceseve demokratike” dhe thoshte se politika e SHBA-së duhet të përfshijë “kultivimin e rezistencës” brenda Bashkimit Evropian.
Gjuha e dokumentit i bëri jehonë kritikave të mëparshme ndaj Evropës nga figura kryesore në administratë, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance, dhe nxori në pah tensionet në rritje midis kryeqyteteve evropiane dhe Uashingtonit.

“Disa prej tyre janë të kuptueshme dhe disa prej tyre janë të papranueshme për ne nga një perspektivë evropiane”, u ka thënë Merz gazetarëve gjatë një vizite në shtetin perëndimor gjerman të Rheinland-Pfalz.

“Nuk shoh nevojë që amerikanët të duan tani të shpëtojnë demokracinë në Evropë. Nëse do të ishte e nevojshme ta shpëtonim atë, ne do ta menaxhonim vetë”, ka shtuar ai.

Udhëheqësit, përfshirë Merzin, kanë pranuar se evropianët duhet të rindërtojnë ushtritë që janë dobësuar pas dekadash neglizhence, duke i lënë ato shumë të varura nga ushtria amerikane për mbrojtjen e tyre.

Por ata duhet të ndjekin një vijë të kujdesshme midis reagimit ndaj gjuhës jashtëzakonisht të ashpër nga administrata dhe shmangies së armiqësimit të aleatit të tyre më të fortë.

“Pyetja se çfarë do të thotë kjo për bashkëpunimin tonë të sigurisë është padyshim pyetja më e rëndësishme”, ka thënë Merz.

“Kjo konfirmon vlerësimin tim se ne në Evropë, dhe për këtë arsye edhe në Gjermani, duhet të bëhemi shumë më të pavarur nga SHBA-ja në aspektin e politikës së sigurisë”.
Merzi ka shtuar se Trumpi, gjyshi i të cilit vjen nga Gjermania, pritet ta vizitojë Gjermaninë vitin e ardhshëm.