Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe dhe reagimet e ambasadës amerikane dhe organizatave të shoqërisë civile.

Pyetjes për deklaratën e Ambasadës Amerikane, e cila kishte thënë se “përpjekjet e vetëvendosjes për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse”, Kurti iu përgjigj shkurt:

“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Kosovës.”

Një ditë më parë KQZ-ja nuk certifikoi kandidatët për deputetë të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Ky është tentimi më i fundit në një varg përpjekjesh të dështuara të disa anëtarëve të komisionit për t’ia pamundësuar kësaj partie pjesëmarrjen në zgjedhje, qoftë parlamentare apo lokale në vend.