Është diçka të shpenzosh për një lojtar, dhe diçka tjetër të thyesh rekordin.
Trabzonspori duhet të bëjë pikërisht këtë, për të siguruar shërbimet e Ernest Muçit sezonet e ardhshme.

Blerja e kartonit të yllit shqiptar është tema kryesore në klubin turk, për tifozët dhe stafin teknik, dhe një nga çështjet e ditës në Superligë dhe në mediat e Stambollit e të Ankarasë.
Presidenti Ertugrul Dogan, ka deklaruar se nëse trajneri Fatih Teke e kërkon futbollistin në fund të sezonit, klubi do t’ia plotësojë dëshirën, por nuk ngurroi që sqaronte edhe diçka tjetër.

Numri 1 i Trabzonsporit deklaroi se oferta që u bë në verë për Muçin u konsiderua e ulët nga Beshiktashi, prandaj pati huazim, dhe shtoi se dihen shifrat që janë shpenzuar deri tani.

E vërteta është që klubi i Superligës turke duhet të thyejë rekordin e tij të transferimeve në të gjitha kohët nëse do të dojë të blejë kartonin e shqiptarit, për të cilin Beshiktash kërkon 8.5 milionë euro.

Një milionë euro ndërkaq janë dhënë vetëm për huazimin 1-vjeçar.

Blerja rekord deri tani është ajo e yllit nga Gana, Maxhid Uaris, i cili u pagua 6.9 milionë euro në 2014 tek Spartaku I Moskës.

Pra rekordi duhet të thyhet me mbi 30 për qind.

Pas tij vijnë Gëkhan Ynal, qendërsulmuesi për të cilin u shpenzuan 6.2 milionë euro si dhe ukrainasi Zubkov me 6 milionë euro, po aq sa Sikan.

Pol Onuaçu, një nga më të mirët e ekipit aktualisht, u pagua 5.67 milionë euro këtë verë tek Sauthemptoni në Premier Ligën angleze.

A do t’i ketë Trabzonspori 8.5 milionë euro për Ernest Muçin?

Nuk është e sigurt, ndonëse dihet se trajneri Teke dëshiron ta mbajë në ekip, dhe se presidenti Dogan do të bëjë gjithçka që ta kënaqë.
Ylli kuqezi ka 5 gola e një asist në 12 ndeshje këtë sezon të Superligës, madje të 5 golat dhe asistin I ka realizuar në tri ndeshjet e fundit.