Lajmi ishte dhënë, por është ndryshe kur e sheh me sytë e tu.
Xhamal Musiala e bëri më në fund rikthimin e shumëpritur në seancat stërvitore të Bajernit, e thuajse e ka lënë pas dëmtimin e rëndë.
Mesfushori i shkëlqyer i bavarezëve dhe i kombëtares së Gjermanisë u prit me dashuri nga shokët dhe trajneri Vinsent Kompani, pasi mungoi për plot 164 ditë, ndonëse nuk pati një seancë të plotë.
Ai bëri disa nga ushtrimet, dhe më pas kaloi në programin e tij individual.
Siç e ka bërë të ditur klubi I Mynihut, mediat dhe vetë trajneri belg, pritet që Musiala të jetë 100 për qind në stërvitje ditët e ardhshme, dhe të nisë aktivizimin në ndeshjet zyrtare gjatë janarit të ardhshëm, fillimisht me vetëm pak minuta.
Lojtari 22-vjeçar u dëmtua seriozisht në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klubet, humbur ndaj Paris SG në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 5 korrik të këtij viti.
Tek Bajerni u kthye në stërvitje edhe sulmuesi Luis Diaz.
Ylli kolumbian humbi dy ndeshje të Bajernit, një për shkak të kartonit të kuq në Champions, dhe një pasi plotësoi numrin e kartonëve të verdhë në Bundesligë.




















