Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ankimin në Gjykatën Kushtetuese sa i takon pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe njëherësh ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se pezullimi i numrit dy të qeverisë cenon balancën e pushteteve dhe ndërhyn në kompetencat e kryeministrit. Ndër të tjera ai tha se pezullimi i ministres ka sjellë një sërë pasojash zinxhir në projekte dhe investime.
“U bë sebep një mik i mirë për të bërë këtë reagim. Ku në një mesazh më shkruan që unë e kuptoj mirë merakun tënd lidhur me pezullimin e ministres, dhe nesër bëhet rrugë dhe i bie që prokurori nesër të heqë kë të dojë nga qeveria, por ajo e linjës ajrore me Kanadanë mu duk pak e tepërt. Tani ok, mbase nuk është pak e tepërt, ndoshta është shumë. Shembujt që unë sjell, tregojnë se sa e tepërt është pezullimi i një ministri. Ministri i pezulluar jo vetëm që nuk pezull vetë asgjë, por bën që askush të mos marrë vendimin dhe të mos firmosë gjësendi të dikasterit. Sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij ministrit të drejtën ekskluzive dhe të padelegueshme. Pezullimi i ministrit është absurd si vendim sepse është pengesë për zinxhirin e një sërë gjërave që ministri mbulon.
Një nga marrëveshjet që është pezulluar tani është edhe ajo e Kanadasë për fluturimet ajrore, të cilën tani po mundohemi ta zgjidhim me Ministrinë e Jashtme. Po me 35 vendime të tjera të qeverisë si do ia bëjmë, po me lejet e ndërtimit si do ia bëjmë, investimet në energjitë e rinovueshme, në infrastrukturë, të cilat nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar si do ia bëjmë?! Dhe këto janë punë të bllokuara që do të shtihen përditë, prandaj edhe unë kam shkuar në Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk jam këtu për të për mos cenimin e balancës së pushteteve teorikisht, për mos marrjen e një kompetence të kryeministrit nga një gjykatës apo prokuror, teorikisht!
Jo nuk flas teorikisht, dhe nuk jam këtu për të ndërhyrë në punën e prokurorit apo gjykatësit në fjalë dhe nuk merrem me pse se si ata po merren me një dosje të caktuar. Unë po flas për cenimin konkret të ndarjes së pushteteve, në ndërhyrjen konkrete dhe brutale në përbërjen e qeverisë. Për ndarjen e kompetencave”, tha kryeministri Edi Rama.




















