Zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas i kanë përfunduar takimet e tyre në Florida, të cilat Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i ka përshkruar si “shumë produktive”, ndonëse nevojitet punë shtesë për të finalizuar një plan për përfundim të luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Kemi pasur një tjetër takim shumë produktiv, nisur nga bisedimet në Gjenevë, më pas takime tjera të javës, por duhet bërë më shumë punë”, u ka thënë Rubio gazetarëve më 30 nëntor, pas takimit, por pa ofruar më shumë hollësi.
“Ka shumë gjëra që po ndryshojnë, dhe natyrisht që është edhe një palë tjetër e përfshirë këtu që duhet të jetë pjesë e ekuacionit”, ka thënë ai, duke iu referuar Rusisë.
“Do të vazhdojmë edhe këtë javë, kur [i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve] Witkoff udhëton në Moskë… ne kemi qenë në kontakt me nivele të ndryshme brenda anës ruse, por duket se i kuptojmë mirë edhe qëndrimet e tyre”, ka thënë Rubio. Sekretari i Këshillit të Sigurisë të Ukrainës, njëherësh lideri i delegacionit të Kievit, Rustem Umerov, i ka përshkruar negociatat si “të suksesshme” por as ai nuk ka ofruar më shumë hollësi.
“E përfunduam një takim të vështirë por produktiv të negociatave në Floridë. Kemi shënuar përparim të prekshëm drejt arritjes së paqes”, ka shkruar ai në Telegram.
Agjencia e lajmeve AFP i ka cituar disa burime të pakonfirmuara brenda ekipit ukrainas të kenë thënë se bisedimet “nuk kanë qenë të lehta” dhe që “kërkimi për formulime dhe zgjidhje vazhdon”.
Ekipi negociator është takuar në Florida, në veri të Majamit, në mesin e përpjekjeve për të arritur deri te një plan që do të ishte i pranueshëm si për Kievin, ashtu edhe për Moskën.
Witkoff do të jetë më 1 dhjetor në Moskë për t’u takuar me zyrtarë të lartë rusë, përfshirë presidentin e shtetit, Vladimir Putin. Ky do të jetë takimi i gjashtë i Witkoffit me Putinin prej janarit. Më 30 nëntor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shkruar në rrjete sociale se “pala amerikane është duke treguar qasje konstruktive dhe në ditët në vijim është e mundshme që do të përcaktohen hapat si të ketë një përfundim të dinjitetshëm të luftës”.
Ai ka folur më vonë edhe me liderë të Komisionit Evropian dhe NATO-s për t’i koordinuar pozicionet në kuadër të negociatave. Kievi dhe aleatët evropianë po përpiqen të krijojmë një propozim alternativ pasi zyrtarë të administratës amerikane e kanë publikuar një plan 28-pikësh që përbëhet prej disa aspekteve të cilat i ka shtyrë përpara Moska prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.
Për disa ukrainas, plani nënkupton kapitullim, pas gati katër vjetëve të luftës që i ka vrarë apo plagosur mbi 1 milion njerëz në të dyja anët.
Plani fillestar amerikan i ka alarmuar zyrtarët ukrainas – dhe raportohet ta ketë zemëruar Zelenskyn, i cili më pas i ka zhvilluar disa bisedime të ndara me Rubion dhe zyrtarë tjerë amerikanë në Gjenevë.
Këto bisedime kanë rezultuar me një plan prej 19 pikash që ende lë në tavolinë çështje të rëndësishme, përfshirë fatin e rajonit ukrainas të Donbasit, aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe zvogëlimin e numrit të ushtrisë ukrainase. /rel




















