Në Qendrën për Lidership të Katarit, Linda Rama rikthehet në vitin 1990, duke e përshkruar Shqipërinë si vendin e fundit në Evropën Lindore që doli nga komunizmi, për shkak të izolimit ekstrem.

Ajo kujton qartë se çfarë kërkonin shqiptarët në atë moment historik. Deklaratat u bënë gjatë një sesioni “Spotlight” të Qatar Leadership Centre, mbajtur në Doha më 23 nëntor 2025.

“Më kujtohen dy parulla, ‘liri, demokraci’ dhe ‘e duam Shqipërinë si gjithë Evropa’”, thotë ajo, duke theksuar se shoqëria ishte e qartë për atë që nuk donte, por jo për atë që e priste përpara.

Sipas saj, pas rënies së sistemit, u kuptua se mungesa e përgatitjes nuk ishte vetëm e qytetarëve, por edhe e lidershipit të ri, i cili nuk kishte përvojë praktike për një transformim kaq rrënjësor.

“Ata mund ta dinin teorikisht, por praktikisht askush nuk e dinte çfarë do të thoshte për një vend komunist të dilte nga një sistem e të hynte në një sistem krejt tjetër”, shprehet Rama, duke shtuar se tranzicioni u përjetua si një përplasje e fortë me realitetin e përditshëm.