Po flasim për rivalitetin më të madh në vend. Një Esteglal-Persepolis është derbi i kryeqytetit të Iranit, një i tillë si Tirana-Partizani apo Boka-River, dhe Jasir Asani duket se është përfshirë plotësisht në këtë atmosferë të jashtëzakonshme.

Futbollisti i Kombëtares shqiptare ndezi shumë polemika në Teheran me mesazhin që botoi në rrjetet sociale. Në pamjen e parë duket diçka e pafajshme, ndonëse ata që e njohin historinë e derbit e dinë se në vetvete përmban një simbolikë.

Një Asani që shkel tullumbacin e kuq është sfida që ylli I skuadrës blu, Esteglal, I lëshon ekipit të kuq, Persepolis. Derbi për këtë sezon nuk është luajtur ende, dhe është në program në 5 dhjetor në fushën e Perspolisit.

Mediat iraniane I bënë jehonë postimit të yllit kuqezi, duke e cilësuar si një provokim për rivalët, ndonëse këto janë gjëra normale për lojtarët që do të luajnë ndeshje derbi.
Asani e ka ndihmuar Esteglalin që të dalë në krye të renditjes së Ligës Profesioste të Iranit, me 16 pikë në 9 javë, një më shumë sesa Sepahani, pas një fillimi të vështirë, ndërsa rivalët e Persepolisit janë në vendin e 9-të me 4 pikë më pak.

Gjithsesi, Asani e di nga derbit Partizani-Tirana që ka luajtur në Shqipëri, se rezultati nuk varet nga renditja, ndërsa ironikisht ka ndërruar ngjyrat. Nga i kuq partizanas dikur, tani është bërë blu.