Numri i viktimave nga zjarri që përfshiu këtë javë një kompleks banesor në Hong Kong është rritur në 146, njoftoi policia.
Zyrtarët e Njësisë së Identifikimit të Viktimave të Fatkeqësive gjetën trupa të tjerë, teksa zgjeruan kërkimin në tri blloqe të tjera të kompleksit të ndërtimit Wang Fuk Court, që u përball me zjarrin më vdekjeprurës në ndonjë ndërtesë banimi në botë që nga viti 1980.
“Që nga ora 16:00 [sipas kohës lokale], bilanci i fundit i viktimave është 146. Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e viktimave të tjera”, tha në një konferencë për media shefja e kësaj njësie, Tsang Shuk-yin. Mbi 1.000 njerëz nga e gjithë qyteti kinez u mblodhën të dielën në kompleksin banesor në distriktin Tai Po, në veri të Hong Kongut, për të nderuar viktimat e zjarrit.
Autoritetet kanë krijuar një grup të përbashkët hetimor për të zbuluar shkakun e zjarrit.
Njësia kundër korrupsionit e Hong Kongut ka arrestuar 11 persona në lidhje me zjarrin, tre prej të cilëve janë arrestuar po ashtu nga policia për vrasje nga pakujdesia.




















