Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth hodhi poshtë kritikat për sulmet ndaj anijeve venezueliane, të cilat kanë lënë më shumë se 80 personave të vrarë.

Ndaj administratës amerikane ka pasur vazhdimisht akuza për shkelje të ligjit ndërkombëtar, por Hegseth tha se presidenti Donald Trump ka fuqinë të ndërmarrë veprime ushtarake siç e sheh të arsyeshme për të mbrojtur kombin.

“Ne kemi qenë të qartë, nëse punoni për një organizatë të caktuar terroriste dhe sillni drogë në këtë vend me varkë, ne do t’ju gjejmë dhe do t’ju fundosim. Le të mos ketë dyshim për këtë. Presidenti Trump mund dhe do të ndërmarrë veprime ushtarake siç e sheh të arsyeshme”, tha ai.
Hegseth hodhi poshtë kritikat ndaj sulmeve në Karaibe ose Paqësor dhe e krahasoi këtë betejë me luftën kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Ligjvënësit amerikanë kanë kërkuar më shumë përgjigje rreth sulmeve dhe justifikimit të tyre ligjor, si dhe nëse forcat amerikane u urdhëruan të nisnin një sulm të dytë që vrau të mbijetuar.

Administrata e Donald Trump ka ndërmarrë masa të ashpra për të goditur ato që i ka cilësuar si anije me drogë të nisura nga Venezuela.
Presioni ndaj presidentit Nicolas Maduro ka qenë i madh, ndërsa në një telefonatë mes tij dhe tRump, presidenti amerikan i kërkoi të largohej nga vendi.

Qeveria venezueliane ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për politika kolonialiste ndaj vendit dhe Maduro është zotuar se nuk do të tërhiqet.
Nga ana tjetër, një sinjal mbështetjeje për Venezuelën ka ardhur nga Kuba, ku qindra njerëz dolën në protestë. Qytetarët kubanezë thanë se Maduro është një mik i vendit të tyre dhe dënuan politikat armiqësore të Shteteve të Bashkuara.