Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi pas takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të aleancës se është gjë e mirë që bisedimet për paqe për përfundimin e luftës në Ukrainë po vazhdojnë, por se është thelbësore të sigurohet që Ukraina të jetë në pozitën sa më të fortë të mundshme.
Deklaratat e shefit të aleancës ushtarake erdhën ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s po mbërrinin në selinë e aleancës në Bruksel, ku po diskutonin për prioritetet e NATO-s dhe çështjet e sigurisë, veçanërisht luftën në Ukrainë.
“Si të sigurojmë që Ukraina të mbetet sa më e fortë? Bisedimet për paqe vazhdojnë. Kjo është pozitive. Por, në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë që, ndërsa ato vazhdojnë – dhe ne nuk e dimë kur do të përfundojnë – Ukraina të jetë në pozitën më të fortë të mundshme për të vazhduar luftën, për t’i rezistuar rusëve, por edhe për të qenë në pozitën më të fortë të mundshme kur bisedimet e paqes të arrijnë në fazën ku palët ulen në tryezë”, tha ai.




















