Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mori pjesë në një ceremoni mirëseardhjeje për një njësi të Inxhinierisë së Ushtrisë që u kthye në vend pas përfundimit të misionit të saj në Rusi, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA).
Në fjalimin e tij, Kim vlerësoi oficerët dhe ushtarët e Regjimentit të 528-të të Inxhinierisë së Ushtrisë për “heroizmin” që ata treguan në misionin që u ishte caktuar nga udhëheqja e Koresë së Veriut gjatë luftes së tyre 120-ditore jashtë vendit. KCNA raporton se forca ushtarake u vendos në fillim të gushtit në rajonin e Kurskut mes luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Muajin e kaluar, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se trupat e Koresë së Veriut, të cilat ndihmuan në sprapsjen e një pushtimi ukrainas të Kurskut, ishin përfshirë në pastrimin e zonës nga minat.
Si pjesë e një pakti bashkëpunimi mbrojtës midis dy vendeve, Koreja e Veriut dërgoi rreth 14000 ushtarë për të luftuar përkrah forcave ruse në rajonin e Kurskut vitin e kaluar. Më shumë se 6,000 prej tyre u vranë, sipas vlerësimeve nga Ukraina dhe Koreja e Jugut.
Kim Jong Un tha se nëntë ushtarë u vranë gjatë misionit, duke e quajtur atë një “humbje zemërthyese”. Ai njoftoi se ata që morën pjesë në mision do të dekoroheshin, ndërsa nëntë që vdiqën tashmë janë njohur si “heronj të Republikës Popullore Demokratike të Koresë”, sipas KCNA.




















