NATO po konsideron ndryshime për të qenë më proaktive në përballimin e sulmeve hibride të Rusisë, përfshirë operacionet kibernetike, sabotimet dhe shkeljet e hapësirës ajrore.
Lajmi u konfirmua nga admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, për Financial Times.

“Po studiojmë gjithçka… Në fushën kibernetike, jemi disi reaktivë. Të qenit më agresivë ose proaktivë është diçka që po shqyrtojmë”, tha Dragone. Ai shtoi se në disa raste një “sulm parandalues” mund të konsiderohet si veprim mbrojtës, megjithëse kjo është larg mënyrës tradicionale të veprimit të NATO-s.

Vendet evropiane kanë përjetuar sulme kibernetike dhe sabotime të lidhura me Rusinë, përfshirë dëmtimin e infrastrukturës nënujore në Detin Baltik. Disa shtete, sidomos në Evropën Lindore, kërkojnë një qëndrim më të ashpër nga aleanca.
Dragone theksoi se çdo ndryshim kërkon shqyrtim të kujdesshëm të kornizave ligjore dhe juridiksionale. “Të qenit më agresiv krahasuar me agresivitetin e homologut tonë mund të jetë një mundësi, por çështjet janë: korniza ligjore, korniza juridiksionale dhe kush do ta zbatojë këtë,” tha ai.

Dragone përmendi misionin Baltic Sentry, ku NATO vendos anije, avionë dhe dronë për të monitoruar infrastrukturën kritike pas incidenteve të prerjes së kabllove në 2023-2024. “Që nga fillimi i Baltic Sentry, asgjë nuk ka ndodhur. Ky parandalim po funksionon,” tha ai.
Megjithatë, shqetësime mbeten. Një gjykatë finlandeze rrëzoi një çështje kundër një anijeje ruse të dyshuar për dëmtim kabllosh, duke i dhënë kështu liri veprimi anijeve ruse në ujëra ndërkombëtare, sipas ministres së Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

Dragone tha se sfida për aleancën është parandalimi i sulmeve hibride në të ardhmen. “Mënyra se si arrihet parandalimi, përmes hakmarrjes ose sulmeve parandalues, duhet të analizohet thellë, sepse presioni ndaj NATO-s mund të rritet më tej,” tha ai.