Është kthyer në një yll të stolit, dhe reklamën po ia bën edhe Shqipërisë. Emri i Silvinjos tërheq jo pak në Brazil, dhe pas kualifikimit për në plej ofin e Kupës së Botës, tekniku kuqezi ishte I ftuar në një emision sportiv të televizionit ESPN për vendin e tij.
Katër gazetarët në studio, në lidhje në distancë me trajnerin e kombëtares, e pyetën për shortin me Poloninë.
“Natyrisht, e dinim që më parë se do të ishte e vështirë, dhe ashtu ndodhi. Një short I pamëshirshëm, I ashpër. Kështu ka qenë që nga Europiani. I imagjinonim këta rivalë të fortë. Polonia do të luajë në shtëpi dhe ne do të kemi vështirësi të madhe, por do të bëjmë gjithçka për Shqipërinë, për ekipin tonë, për vendin, për federatën. Do të provojmë të arrijmë suksesin”.
Çfarë mund të thotë Silvinjo për shanset e Shqipërisë që të kalojë polakët?
“Kemi një përvojë të mirë në të kaluarën, pasi luajtëm në eliminatoret e Europianit ndaj Polonisë. Kanë ndryshuar trajner, por janë pak a shumë lojtarët që ishin, lojtarë me nivel të lartë. Dy ekipet janë në faza të ndryshme. Ata janë në rindërtim me një trajner të ri, ndërsa ne jemi në një periudhë përmirësimi, duke vazhduar punën tonë. Përballja do të jetë e vështirë. Gjithsesi, janë 90 minuta, dhe mund të ndodhë gjithçka. Ne kemi ndryshuar. Ekipi ynë është më I strukturuar, mbron më mirë, ka ecur përpara teknikisht. Kemi cilësi shumë të mirë dhe lojtarë që janë përshtatur me njëri-tjetrin. Fati I ndeshjes mund të vendoset në pak sekonda. Kështu funksionon”.
Silvinjo do të ishte I vetmi trajner brazilian në Botëror, pasi Brazilin e drejton Ançeloti, madje mund të kishte një përballje mes tyre.
“Për mua është një nder nëse do të jem braziliani I vetëm si trajner në Botëror. Do të ishte diçka shumë e bukur. Do të përpiqem edhe për këtë. Nëse kualifikohemi nga ky plej of, do të jemi në Kupën e Botës, diçka që nuk është e vogël për ne, nuk kemi qenë më parë. Ju më pyesni çdo të ndodhë nëse do të ndeshemi me Brazilin në Botëror. Është rrugë e gjatë deri atëherë. Ju lutem, qetësohuni. Të shkojmë një herë në Botëror, pastaj të shohim me kë do të ndeshemi”.




















