Të enjten, 04.12.2025, Turqia ka thirrur në Ministrinë e Jashtme diplomatët e lartë të Ukrainës dhe Rusisë, pas sulmeve ndaj anijeve që lundronin në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.
Sipas mediave të huaja, zyrtarët turq i përcollën ambasadorin ukrainas Nariman Celal dhe ngarkuarit me punë të ambasadës ruse Aleksei Ivanov shqetësimin e Ankarasë për incidentet.
Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Oncu Keceli, tha se sulmet ndaj anijeve “Kairos” dhe “Virat” kanë ndodhur brenda zonës ekskluzive ekonomike të Turqisë dhe kanë rrezikuar lundrimin, jetën, pronën dhe sigurinë mjedisore.
Ai shtoi se Ankaraja po zhvillon bisedime me palët e përfshira për të parandaluar përhapjen e luftës së Ukrainës në Detin e Zi dhe për të mbrojtur interesat ekonomike të vendit.




















