Maks Verstapen fitoi Çmimin e Madh të Katarit në Formula 1 duke hapur plotësisht garën për titull. Kampioni i botës ka ende mundësi të mbrojë kurorën, ndërsa gjithçka vendoset në 7 dhjetor.
Edhe pse e nisi garën nga vendi i tretë, pas dy makinave McLaren, piloti holandez arriti të shrytëzojë në maksimum mundësitë që iu dhanë, duke ngushtuar diferencën me kreun e renditjes. Në vendin e dytë u rendit australiani i McLaren, Oscar Piastri. Në podium u ngjit edhe Carlos Sainz me Williams, i treti, surpriza e kësaj gare.
Në vendin e katërt u rendit britaniku Lando Norris me makinën McLaren, që ruan vendin e parë në renditjen e përgjithshme, me një garë nga fundi. Kjo garë kishte rregullin e dy ndalesave dhe një set gomash duhej të zgjaste maksimumi 25 xhiro (57 xhiro gjithsej). Hyrja e makinës së sigurisë në xhiron e shtatë, kur mbetën edhe 50 për t’u zhvilluar, ishte mundësia e artë për Verstappen, që e shfrytëzoi dhe më pas menaxhoi pa probleme avantazhin.
Në zonën e pikëve, respektivisht nga vendi i pestë në të dhjetin, u renditën edhe Kimi Antonelli, George Russell, Fernando Alonso, Charles Leclerc, Liam Lawson dhe Yuki Tsunoda. Tjetër garë anonime për Ferrari, ndërkohë që Lewis Hamilton u rendit në vendin e 12-të me “kokëkuqen”, jashtë zonës së pikëve.




















