Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka arritur të hënën në Paris, ku është pritur në Pallatin Elysee nga presidenti, Emmanuel Macron. Zelensky dhe Macroni pritet të diskutojnë çështjet rreth bisedimeve të paqes që po zhvillohen së fundmi, bazuar në planin 28-pikësh të presidentit amerikan, Donald Trump.
Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohet me të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff të martën pasdite, ka njoftuar Kremlini të hënën.

Witkoff besohet se do të jetë i shoqëruar edhe nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, nuk ka specifikuar nëse Kushner, i cili ka luajtur një rol aktiv në negociatat mbi marrëveshjen e paqes në Gazë, do të marrë pjesë gjithashtu në takim.
Dy të dërguarit e besuar të Trumpit janë takuar të dielën me një delegacion të lartë ukrainas në atë që zyrtarët amerikanë e përshkruan si një takim “produktiv”, megjithëse nuk duket se është arritur ndonjë përparim i madh.

Vizita e Witkoffit në Moskë do të jetë takimi i tij i gjashtë ballë për ballë me udhëheqësin rus dhe ka të ngjarë të rrisë ankthin në Kiev dhe në të gjitha kryeqytetet evropiane lidhur me komentet e kaluara të zhvilluesit të pronave, të perceptuara si në favor të Kremlinit. Javën e kaluar, Bloomberg ka publikuar transkripte të një telefonate të rrjedhur midis Ëitkoffit dhe një ndihmësi të lartë të Kremlinit, Kirill Dimitrev, në të cilën Witkoff dukej se e këshillonte Kremlinin se si të fitonte më shumë mbështetjen e Trumpit.