Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nuk ka pasur “kurrë” mundësi më të mirë se tani për ta arritur një marrëveshje për të ndalur luftën e Rusisë ndaj vendit të tij, edhe pse homologu i tij rus, Vladimir Putin, i akuzoi qeveritë evropiane se po bëjnë përpjekje për ta bllokuar procesin e paqes.

Zelensky foli teksa i dërguari i posaçëm i amerikan, Steve Witkoff, mbërriti në Moskë për bisedime mbi një propozim për paqe të hartuar nga Shtetet e Bashkuara.

Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, fluturuan për në Moskë më 2 dhjetor për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin dhe negociatorët rusë, pas një propozimi fillestar 28-pikësh nga SHBA-ja – i cili kryesisht shihej si i përputhshëm me qëllimet ruse për pushtimin e plotë të Ukrainës – që u “përmirësua” në 19 pika pas bisedimeve midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase javën e kaluar.

Qeveritë evropiane gjithashtu kishin paraqitur ndryshime dhe një kundërpropozim për planin e draftit, duke synuar të hiqnin ose zbutnin dispozitat që sipas tyre cenonin sovranitetin e Ukrainës.

Por, Moska i ka hedhur poshtë këto ndryshime evropiane menjëherë. Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, Putin pretendoi se ndryshimet evropiane kishin për qëllim pengimin e përparimit drejt arritjes së marrëveshjes.

Duke folur para takimit të tij me Witkoff dhe Kushner, Putin tha se Rusia është e gatshme t’i përfshijë shtetet evropiane në bisedime, në qoftë se ato e njohin atë që ai e quajti “realitetet në fushën e betejës” në Ukrainë.

“Ne nuk kemi asnjë qëllim ta luftojmë Evropën, e kam thënë këtë 100 herë”, tha Putin.

“Por, nëse Evropa dëshiron të luftojë përsëri dhe e fillon luftën, atëherë ne jemi të gatshëm për atë menjëherë”.

Bashkimi Evropian ka thënë disa herë se nuk do ta pranojë një rishikim të dhunshëm të kufijve të Evropës dhe se vetëm Ukraina mund të vendosë për të ardhmen e territorit të saj.