Megjithë pesë përpjekjet e opozitës në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të 2026-ës për të mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, ky organ i Kuvendit *nuk do të mblidhet përpara 19 janarit 2026*, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK lidhur me zv.kryeministren Belinda Balluku.
*Sipas njoftimit zyrtar,* sesioni parlamentar i Kuvendit do të nisë më 19 janar, në përputhje me Rregulloren. Gjatë asaj dite pritet të publikohet kalendari i punimeve dhe të nxirren urdhrat për seancën hapëse, Konferencën e Kryetarëve, Byronë e Kuvendit dhe Komisionin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit.
*Mbledhja e Këshillit*, ku do të vendoset për kërkesën e SPAK për lejen e arrestimit, *pritet të zhvillohet pas 22 janarit,* datë kur Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Rama për shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra.
Edhe sot, anëtarët demokratë të Këshillit tentuan të mblidhen, por nuk mundën të hynin në sallën e Kryesisë së Kuvendit, pasi dera u gjet e mbyllur.










