Duke u shfaqur herë me kastraveca e shalqinj në duar, e herë duke folur për minj e mace në foltoren e Kuvendit, Saimir Korreshi duket se ia ka arritur qëllimit për të ‘ndërruar lëkurë’ duke u bërë viral në rrjet.
Deputeti demokrat i Lushnjes me zotësinë e tij për ta banalizuar çdo diskutim, duket se e ka fshehur paq të shkuarën e tij që sipas denoncimeve, ka qenë problematike dhe të diskutueshme kur drejtonte hipotekën në Lushnje.
Sot, pakkush e di që Korreshi ka mbatjur pozicione të larta në administratën e Sali Berishës dhe ka shkaktuar jo pak probleme pronash në Lushnje.
Në Lushnjen që nuk guxoi të kandidonte me fuqinë e tij në listë të hapur, por duke u ‘fshehur’ nga Berisha në listë të mbyllur. E nëse Lushnja e Berishës mbahet mend për Rrapush Xhaferrin, preshin e Tritan Shehut apo bandat nga e Aldo Bares tek Loshi i Karbunarës, asaj i shtohen edhe bëmet që ka bërë Korreshi në rolin e ish-kreut të Hipotekës.
Madje përveç aktrimit të sotëm, Saimir Korreshi e kalon përciptazi faktin se ka qenë Inspektor i Hipotekës në Tiranë e më pas Kryeregjistrues i ZVRPP Lushnje.
Media jonë disponon një dosje të plotë që e nxjerr zbuluar Saimir Korreshin për firmat që ka hedhur në qytetin e tij.
Tjetërsimi i pronave në zonat më të lakmuara të Lushnjes, siç janë Kolonja, Ardenica etj. janë nga rastet që Saimir Korreshin e kanë çuar deri në dyert e Prokurorisë.
Denoncimet e qytetarëve të prekur nga firma e ish-Kryeregjistruesit të Hipotekës Lushnje janë një tjetër dëshmi e manovrave që Korreshi ka bërë, deri në nivelin që Korreshi u afrua në PD për t’u bërë më pas deputet.
Në dokumentacionin origjinal që ne disponojmë, duket qartë jo vetëm firma e Saimir Korreshit në një Certifikatë Pronësie të vitit 2010, por edhe praktikat e dyshimta të regjistrimit të disa pronave. Pa llogaritur këtu rastet e abuzimeve me legalizimet, apo siç është rasti më i rëndë: Falsifikimi i Certifikatave të Pronësive për qëllime elektorale.
Në një denoncim të shtetasit L.S, drejtuar këtë vit Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, denoncohet skandali si më poshtë duke listuar edhe rasyet që e kanë çuar Saimir Korreshin të bëjë çorap pronat e Lushnjes:
“Arsyeja e parë, lidhej me mashtrimin e banorëve të zonave që kishin për të regjistruar pasurinë e tyre nga ish drejtuesit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnje, kjo për qëllime të qarta elektorale si për zgjedhjet parlamentare të viteve 2009 dhe 2013, si dhe, për zgjedhjet vendore të vitit 2011.
Arsyeja e dytë, lidhej me afera krejt korruptive, ku banorë të këtyre zonave pajiseshin me certifikata pronësie për sipërfaqe banese, tokë truall apo tokë are, në një kohë që, nuk rezultonte brenda zyrave të ishte dokumentacioni i nevojshëm për posedimin prej tyre të këtyre pronave. Më pas, këta shtetas që përfitonin nga këto certifikata të falsifikuara për pasuri të paluajtshme, i shisnin këto pasuri te persona të tjerë, duke i mashtruar blerësit e tyre, e duke siguruar të ardhura nga mashtrimi”.
Në denoncmin në fjalë, shtetasi L.S me banim në Lushnje tregon sesi certifikatat e lëshuara nga Korreshi kanë shkaktuar problem të vazhdueshme gjatë përdorimit të tyre.
“Nxjerrja e tyre nga zyrtarët e ngarkuar me ligj është realizuar duke shkelur legjislacionin e kohës, pasi dokumentacioni që shoqëronte nxjerjen e tyre nuk ka qenë conform detyrimeve ligjore në fuqi” – vijon denoncimi teksa thekson se shumë nga të mashtruarit nga Korreshi dhe sekserët e tij janë detyruar më pas të ri-aplikojnë.
Kjo është një pjesë e ‘bëmave’ të deputetit demokrat që ka zgjedhur të konkurrojë me memexhinjtë e rrjeteve sociale sepse ska faj, jemi në vitin 2026. Por e gjithë padrejtësia me pronat që ka bërë nën petkun e ish-Kryeregjistruesit po rëndon edhe sot mbi lushnjarët. Media jonë disponon dosje voluminoze me emra, firma e dokumente konkrete që do të publikohen ditët në vijim. Ndërkohë që inkurajojmë raste të tjera që të denoncojnë të gjithë masakrën e pronave në Qarkun Fier 2009-2013.









