Në vitin 2014, Mario Götze i rrëmbeu skenën Lionel Messit, duke shënuar golin vendimtar në shtesë që i dha Gjermanisë Kupën e Botës.
Pas ndeshjes, 22-vjeçari i kërkoi Messit të bënin një fotografi dhe, pavarësisht zhgënjimit të madh, legjenda argjentinase pranoi.

Njëmbëdhjetë vite më vonë, Götze e kujton atë moment me shumë mall. “E pashë nga mbrapa dhe vrapova pas tij për të bërë një foto… E kam parë Messin tek Barcelona që kur isha fëmijë. Në atë moment, ne sapo kishim fituar Kupën e Botës, por mendja ime ishte te takimi me të, të kisha një fotografi kujtim me të, pavarësisht asaj që kishte ndodhur në fushë. Kisha një respekt të jashtëzakonshëm për gjithçka që ai kishte arritur.

Isha ende shumë i ri, vetëm 22 vjeç, në fillimet e karrierës sime që zgjati edhe 10–15 vite të tjera. Duhej ta pranoja situatën, të mos qëndroja gjatë tek ai gol. Ai gol më solli pasoja të mira dhe të këqija, por atë moment e kujtoj ende shumë qartë. Edhe pas 20 ose 30 vitesh, do ta rikujtoj me krenari.”

Gjermani, i cili ia rrëmbeu trofeun e Botërorit Argjentinës në vitin 2014, ishte ndër ata që brohoritën për Messin tetë vite më vonë në finalen e Katarit 2022, këtë herë së bashku me djalin e tij të vogël.