Nga Ethem Aga
E keqja Shpipërisë i vjen nga mungesa e demokracisë, autoritarizmi dhe korrupsioni që është shtrirë në çdo qelizë të administratës dhe qeverisjes aktuale. Papërgjegjshmëria dhe arroganca e një fund regjimi shihet me sy të lirë në çdo vendim të pushtetit dhe intitucioneve që varet nga ai. Por a duhet pritur vetërënia e një “përbindëshi” që po ha veten? Po PD ku është, padyshim nuk mund të jetë duke pritur “radhë pushtetesh”, por ndryshim konceptesh. Çdo nismë, analizë, qëndrim i mbajtur nga secili anëtar i PD-së, nga strukturat drejtuese të saj, madje deri tek votuesi i opozitës pa qenë anëtar, nuk duhet parë si kundër një grupi, (apo grupimi) që mendon ndryshe nga Ti, Ne, Ju… Është mirë që në PD flitet. Kjo është shenja e parë se hapja, mendimi ndryshe, diskutimi dhe jo përjashtimi, sjellin vlerën. E gjithë kjo energji fillimisht ngjizet në parti dhe më pas forca e çdo diskutimi të lirë, bashkë me ide, e madje edhe platforma, janë më të vlefshme dhe të forta se çdo forcë patronazhimi, krimi dhe korrupsioni, (tre armët e rënda që po përdor pushteti i sotëm). Hapja e partisë nuk duhet të mbetet vetëm si thirrje, por si mundësi që të gjithë duhet ta kenë. Çdo shtresë shoqërore me bindje të djathta, ose pa bindje mirëfilltas ideologjike të politikës, por që është opozitar, duhet të ketë hapësirën e nevojshme brenda Partisë Demokratike. Dikush ka mundësi të japë mendim në media, një tjetër brenda strukturave, të tjerë, në pamundësi për të qenë pjesë e çdo diskutimi, nuk kanë nevojë për podium, kamera dhe “mbledhje të mëdha”. Foltore është edhe një mbledhje nga grupime të vogla në çdo cep të vendit.
Rëndësi ka të flitet, të flitet drejt, të flitet saktë, të thuhet kuptueshëm për të gjithë. Rëndësi ka diskutimi dhe jo linçimi, jo etiketimit për t’i vënë humbjes emër, por zgjidhje për t’i dhënë emër secilit që jep ide. Me bindje mendoj se nga fjala e lirë, qoftë ajo edhe mendim i kundërt me të singjashmin tënd politik, nuk duhet të shihet si herezi. Të mos harrojmë se në çfarë situate jemi dhe kë kemi kundërshtar. Një qeverisje që ka domenin e çdo të keqeje që po kalon vendi në dekadat e fundit mbahet jo vetëm nga treshja: krim-korrupsion-patronazhim, por duke përdoruar armët e shumta propagandistike. Ata (kundërshtarët), që janë në një pikë vetëshkatërrimi nga hajnia mes vetes, do të tentojnë që ta quajnë lëvizjen dhe diskutimet në PD si “përçarja e radhës”. Pikërisht këtë nuk duhet ta lejojmë. Të vetmin “pushtet” të madh që duhet të ketë Partia Demokratike është “fjala e lirë”. Nuk duhet të harrojmë se nga vijmë… Në vitin 1990 nuk u krijua vetëm një subjekt politik me disa koncepte të shkruara. Njerëzit që u bashkuan rreth PD-së ishin vlera e vërtetë dhe arsyeja se përse kjo forcë pati aq shumë forcë para sitemit të egër komunist. Na u bashkuan antikomunistët, njerëzit më me vlerë që dhanë jetën për fjalën e lirë. Na u bashkuan një pjesë e madhe e intelektualëve, studentët, rinia me bindje dhe shpresë. Demokracia nuk është vetëm një fjalë, por koncept jetësor dhe mendim, thelbi i së cilës është fjala e lirë, e drejta dhe kërkesa për të mos lejuar shkeljen universale të të drejtave të njeriut. Në PD ka vend për të gjithë! Liria e mendimit, ndërgjegjes, besimit, e drejta e pronës dhe barazia para ligjit janë normat universal botërore të shoqërive me demokraci të zhvilluar. PD i ka dhe askush nuk duhet ti vendosë në diskutim. Kushdo opozitar që kërkoi hapjen e madhe në PD mendosj se tashmë e sheh se mendimi dhe fjala e lirë janë dy elementët që kanë nisur të kenë zë. Mendo, fol, diskuto..! PD-ja këshu lindi dhe për të mos u “tretur” duhet të kthehet në vlerat që kurrë nuk mbartin emërtim “e shkuar”… Kush jemi, nga vijmë dhe ku do shkojmë kanë vetëm një qëllim: demokraci edhe vetë brenda partisë me të njëjtin emër!




















