Në Qendrën për Lidership të Katarit, Linda Rama u ndal po ashtu te përvoja personale e viteve të tranzicionit dhe te mënyra se si pasiguria dhe mungesa e përgjigjeve e shtynë drejt një rruge tjetër, larg Shqipërisë. Ajo tregon se në fillim kërkonte përgjigje brenda vendit, por pa sukses.

Deklaratat u bënë gjatë një sesioni “Spotlight” të Qatar Leadership Centre, mbajtur në Doha më 23 nëntor 2025.

“Shkoja nga një mjedis në tjetrin, dëgjoja lajmet, dëgjoja kolegët e mi. Askush nuk më jepte dot përgjigje”, kujton ajo.

Vendimi për të studiuar jashtë vendit, sipas saj, i dha një kuptim më të thellë asaj që përfaqëson lidershipi në kohë transformimesh të mëdha, si atëherë, ashtu edhe sot.

“Sa herë ka kohë transformimesh të mëdha, udhëhiqesh nga ëndrrat, nuk udhëhiqesh nga dija”, thekson Linda Rama, duke shtuar se “lidershipi me ëndrra dhe pasion është shumë më i fortë sesa lidershipi me dije”.

Në fund, ajo e lidh këtë ide me motivimin personal dhe shoqëror, duke e parë pasionin për ndryshim si forcën kryesore shtytëse për përmirësim të vazhdueshëm.