Tajlanda kreu sulme ajrore në një zonë kufitare të diskutueshme me Kamboxhian, ndërsa zyrtarët nga të dyja palët vazhduan bisedimet për t’i dhënë fund luftimeve.

Forcat Ajrore Tajlandeze thanë se kishin goditur një “pozicion të fortifikuar ushtarak” kamboxhian pasi civilët ishin larguar nga zona.

Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias akuzoi Tajlandën për “sulme pa dallim” kundër shtëpive të civilëve dhe për plagosjen e disa personave. Luftimet shpërthyen përsëri në fillim të këtij muaji, pasi një armëpushim i brishtë në korrik i dha fund përleshjeve të ashpra kufitare pesë ditëshe.

Të paktën 41 persona janë vrarë dhe pothuajse një milion janë zhvendosur që kur rifilluan armiqësitë. Të dyja vendet kanë fajësuar njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit.

Që atëherë, luftimet janë përhapur në pothuajse çdo provincë përgjatë kufirit prej 800 kilometrash. Ministria e mbrojtjes e Kamboxhias tha se sulmet e së premtes ndodhën në provincën veriperëndimore Banteay Meanchey. Deri në 40 bomba u hodhën nga aeroplanët luftarakë F-16.

Tajlanda tha se aksioni kishte për qëllim kontrollin e fshatit Nong Chan dhe se u “krye në mënyrë efikase dhe të suksesshme”. Kjo ndodhi ndërsa negociatorët tajlandezë dhe kamboxhianë zhvilluan ditën e tretë të bisedimeve në një pikë kontrolli kufitar. Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul tha se sapo të dyja palët të bien dakord për kushtet e njëra-tjetrës, mund të nënshkruhet një marrëveshje armëpushimi.

SHBA-të dhe Kina janë përpjekur gjithashtu të ndërmjetësojnë një armëpushim të ri.

Ndryshe, mosmarrëveshja midis Tajlandës dhe Kamboxhias daton më shumë se një shekull më parë dhe ka pasur përleshje sporadike, me ushtarë dhe civilë të vrarë nga të dyja palët gjatë viteve. Por në maj, tensionet u përshkallëzuan pasi një ushtar kamboxhian u vra në një përleshje.

Dhe më 24 korrik, situata u përshkallëzua në mënyrë dramatike pas një sulmi me raketa nga Kamboxhia në Tajlandë, i cili u pasua nga sulme ajrore tajlandeze. Kjo shkaktoi pesë ditë luftimesh të ashpra, të cilat lanë dhjetëra ushtarë dhe civilë të vdekur.