Nga Skënder Minxhozi/
Po të dëgjosh një figurë të lartë të të djathtës historike, tryeza e djeshme e partive që shënoi startin e reformës zgjedhore, ishte edhe ajo fryt i një vendimi të dyshimtë gjykatash. Jozefina Topalli e drejtoi gishtin tek mbyllja e dosjes të lobimeve me prapavijë ruse ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha, si parakushti i uljes së opozitës në tryezën e bisedimeve për zgjedhjet. Gjithçka mund të ndodhë, “jetojmë në Tironë”, siç thotë kënga e njohur. Ajo që e tejkalon këtë batutë të Topallit, është ndërkaq axhenda e komplikuar e vitit politik ku sapo jemi futur. Një kalendar ku spikat në sfond kriza e tërmetit, presidenca e OSBE, shpresat e ringjallura për një hapje negociatash gjatë Samitit të Zagrebit, kërcënimi i papritur iranian, reforma e sipërcituar elektorale dhe e lidhur me të, shpata hipotetike e Demokleut – zgjedhjet e parakohshme.
Shumë mish në zgarë, do të thoshte dikush, për stomakun e lodhur të shqiptarëve. Ashtu duket, por a nuk kanë qenë të tilla të gjitha vitet politike ë këtë vend prej kohësh që s’mbahen mend? Ose zgjedhje, ose kriza, ose të dyja bashkë! Kjo ka qenë menuja shqiptare. Në këtë amulli datash, ngjarjesh dhe faktorësh me ose pa peshë, ftesa që morëm në fillim të janarit në “ballon” vjeneze të OSBE, është pa asnjë dyshim rrethana më e habitshme dhe e pazakontë ku një qeveri shqiptare e ka parë veten ndonjëherë. Pa mësuar tangon e maturës, na ftojnë të japim mësime valsi! Vendi që pyeste ambasadorin e OSBE edhe për sherret mes banorëve të Cërrikut dhe administratës lokale për tubacionin e ujit, apo që ankohet në Vjenë edhe për votat e vjedhura në Malësinë e Madhe, tani e sheh veten në pultin e komandimit të krizës së Krimesë!
Ja që loja e rotacionit në organizmat ndërkombëtare i njeh edhe këto kapërcime surreale. Që në janar na është vënë përpara një detyrë e vështirë diplomatike, një ekuacion me shumë të panjohura në fushën e bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë, pa i pasur asnjërën nga të treja në shtëpinë tonë. Takimi i parë i palëve për reformën zgjedhore është një gjest i ndrojtur që mund të prishet edhe nga puhiza më e lehtë e erës dimërore. Megjithatë është një hap i parë në drejtimin e duhur. Për zgjedhjet duhej folur prej kohësh, pasi si sistemi zgjedhor, ashtu edhe kodi zgjedhor, si dy kolonat e mëdha mbi të cilat ngrihet menaxhimi i votës së shqiptarëve, kanë nevoja urgjente për rishikim. Është ende herët të parashihet se cilat do të jenë preferencat e partive të mëdha. Megjithatë po duket qysh tani së largu se nuk i kanë me qejf listat e hapura të kandidatëve. Japin shumë pushtet listat e paravendosura të deputetëve dhe pushteti është një mall i çmuar në zyrat e kryetarëve. Megjithatë në parim ka pak rëndësi se me cilin sistem votojmë. Rëndësi ka të mos shkelen rregullat, sistemet nuk janë të këqia në vetvete. Të këqia i bëjnë hiletë gjatë rrugës.
Nuk e dimë nëse do të kemi ose jo zgjedhje të parakohshme këtë vit. U duk sikur vitin që shkoi zgjedhjet mund të ndodhnin nga njëra protestë e opozitës tek tjetra, e megjithatë ajo që ndodhi ishte vetëm largimi vullnetar dhe absurd i opozitës nga gjithçka që zotëronte. Le të urojmë që këtë vit të fitojë mb të gjitha arsyeja dhe logjika e urtë, që thotë se me tërmetin e 16 nëntorit dhe presidencën e OSBE nëpër këmbë, mirë do të ishte që vendimet të ishin sa më kolegjiale dhe të dakordësuara. Jo në formën që Lulzim Basha nënkupton dakordësimin, pra me qeveri ekspertësh pa kokë dhe këmbë, por në formën e vendimmarrjeve që të kenë parasysh pozitën delikate ku ndodhet Shqipëria e vitit 2020.
Jo për gjë, por nëse do plasin rrëmujat e sherret, ka të ngjarë që gjatë rrugës të dalë Petrit Vasili dhe të bëjë një nga fletrrufetë e veta klasike, duke u ankuar se Edi Rama, pasi vodhi gjykatën kushtetuese, gjykatën e lartë, prokurorinë e përgjithshme, të gjitha gjykatat e imagjinueshme të shkallëve të ulëta, Teatrin e Operas, kombëtaren e futbollit dhe skuadrën e zjarrfikësve, që nga janari ja doli të shtjerë në dorë edhe…OSBE! Një situatë e tillë tragjikomike do të ishte e tepërt. Mos u grindni, se nuk keni ku të ankoheni! Pas ambasadorit Borshard në Tiranë, edhe presidenca e OSBE ra në duart e “shtetit të narko-trafikut”!