Pasi arkivoi vitin 2019 plot klas me Ligën e Kampionëve të fituar, me botërorin e klubeve si dhe me shpalljen skuadra më e mirë e futbollit në planet, Liverpul vazhdon të impresionojë edhe në 2020.
“Reds” arritën të fitojnë 1-0 ndaj Totenhemit në atë që gjerësisht konsiderohet stadiumi më i mirë në botë, duke vendosur gjithashtu një rekord historik.
Armata e Jurgen Klop ka marrë fitoren e 20 në 21 ndeshje të kampionatit.
Kurrë më parë një skuadër në 5 ligat kryesore kontinentale nuk ishte nisur kaq mirë, dhe nuk kishte këtë mesatare pikësh. Tani në “Anfield Road” ka nisur numërimi mbrapsht për titullin që mungon te kjo skuadër që nga viti 1990.
Liverpul kryeson me plot 16 pikë ndaj Leicester City, madje kanë një ndeshje më pak sesa rivalët.
Praktikisht do të jetë një mision vetëvrasës nëse “Reds” arrijnë të shpërdorojnë këtë avantazh deri në muajin maj.
Suksesi i fundit ndaj Spurs erdhi nga sulmuesi brazilian Roberto Firmino, heroi i stadiumit të Dohas që vendosi edhe botërorin.
Me këtë sukses Liverpul arrin aty ku nuk ka shkuar askush më parë, duke spostuar pas krahëve në diskutimin për pikë, PSG-në e sezonit të kaluar, dhe Manchester City e vitit 2018.