Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar rastin e një 21- vjeçareje e cila zgjodhi të operohet në Shqipëri dhe në fund shpëtoi nga paraliza. Edhe pse iu ofrua mundësia për ta kryer operacionin në Turqi, 21- vjeçarja me emrin Arlinda nga Durrësi ka shpëtuar falë një ndërhyrjeje të rrallë në spitalin e Traumës.
STATUSI I OGERTA MANASTIRLIUT: Një ndërhyrje e rrallë dhe e suksesshme ka shpëtuar nga paraliza Arlindën, 21-vjeçaren nga Durrësi, e cila ka zgjedhur të kryejë ndërhyrjen në #Shqipëri, pavarësisht se për shkak të vështirësive, mungesës së prindërve dhe ndërhyrjes tepër delikate, 21-vjeçares i ofruam mundësinë për të kryer operacionin në Turqi.
Punë e shkëlqyer e ekipit mjekësor të spitalit Universitar të Traumës, dr. Fatos Olldashi, dr. Irgen Hodaj, dr. Eriketa Jaho, dr. Esma Gashi dhe infermierët Sokol Xhafa, Flutura Balla dhe Elsa Agalliu që kryen vertebrectominë anteriore, një ndërhyrje të vështirësisë së lartë, e cila rezultoi e suksesshme për 21 vjeçaren nga Durrësi. Shërim të shpejtë Arlinda!