Viti i ri shkollor do të nisë me kushte bashkëkohore dhe të standardeve më të mira për 680 nxënësit e shkollës “Jorgji Dilo” në Elbasan.

Amortizimi total i godinës kërkonte një ndërhyrje të shpejtë dhe tërësore, një kërkesë kjo edhe e banorëve të kësaj zone.

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektuan ecurinë e punimeve të cilat parashikojnë edhe shtimin e 12 klasave.

Në këtë shkollë mësimi bëhej me dy turne për shkak të numrit të madh të nxënësve, ndaj dhe shtimi i klasave ishte i domosdoshëm, tha Balla.

“Rikontruksioni i shkollës “Jorgji Dilo” ishte një angazhim që e kemi marrë, bashkë me Gledin, para banorëve të kësaj zone. Rikonstruksioni i kësaj shkolle ishte bërë i domosdoshëm për shkak të një degradimi të madh. Shumë shpejt shkolla do të jetë gati, me 12 klasa të reja shtesë, me palestër, bibliotekë dhe do të garantojë shërimin e një plage të vjetër, atë të mësimit me turne.

Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, e kemi kthyer në praktikë, t’u qëndrojmë të koka punimeve, pasi për ne e rëndësishme është cilësia e punimeve.”

Kryetari i Bashkisë garantoi se të tilla standarde do të zbatohen në të gjitha objektet që rikonstruktohen, pasi përpos investimeve të tjera, një fokus të veçantë Bashkia e Elbasani ka vënë tek shkollat e kopshtet.

“Një nga shkollat më të vjetra të qytetit, tani po rregullohet e gjitha. I shtohen 12 klasa të reja për t’i ardhur në ndihmë komunitetit dhe për të hequr mësimin me turne.

Në çdo projekt që po zbatojmë po përpiqemi të bëjmë ndërhyrje të plota që përfshijnë të gjitha problematikat që kanë shkollat.

Me ndihmën e qeverisë po përgatisim projektet edhe për dy shkolla të tjera, shkolla “Onufri” dhe gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” edhe këto shkolla me shumë problematika dhe me një numër të madh nxënësish.”

Shkolla do të pajiset gjithashtu me ambientet sportive, laboratorët etj. Gjatë këtij viti Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit pritet të investojnë edhe në dy objekte të tjera arsimore të rëndësishme si shkolla artistike ”Onufri” dhe gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi”.