Javier Mascherano, i cili nënshkroi në nëntor për Estudiantes de La Plata, pasi mori kërkesën e presidentit të kësaj skuadre, Juan Sebastián Verón, nuk e mohon mundësinë që Leo Messi të luajë në të ardhmen në “Super League” argjentinase: “Në futboll, gjithçka mund të ndodhë. Gjithçka do të varet nga dëshira e Messit për të luajtur në Argjentinë. Rrethanat familjare, gjithashtu, do të ndikojnë nëse do të jetojë përsëri këtu”. Ish-mesfushori i Barcelonës u largua nga kinezët e Hebei Fortune, ku luajti midis janarit 2018 dhe nëntorit 2019. Klubi aziatik pagoi 10 milionë euro te katalanasit për transferimin e tij.

Partneri i Leo Messi në “Camp Nou” për shtatë sezone e gjysmë (2010-2018), Mascherano, shtoi: “Këto janë gjëra që diskutohen personalisht, privatisht, dhe ti përpiqesh të mos përfshihesh. Nëse në të ardhmen, Leo vendos të vijë këtu, do të ishte një kapërcim gjigand cilësor në futbollin tonë kombëtar, për atë që përfaqëson si yll botëror. Sidoqoftë, nuk ka asnjë lidhje realiteti im me të Messit. Ai është lojtari më i mirë në botë”.

Lidhur me kthimin në vendin e tij, të cilin e la në vitin 2005, kur u largua nga River Plate për të mbërritur te Corinthians, “Masche”, që është akoma 35 vjeç, shprehu dëshirën për të garuar ende: “Edhe nëse isha larg, si njeri e kam pasur zemrën në atdhe. Kam qenë këtu rregullisht, sa isha i angazhuar me kombëtaren. Tani, mezi po pres të luaj me klubin tim të ri, në Argjentinë”.

18 tituj te Barça. Pas Corinthians, Mascherano luajti te West Ham për disa muaj, pastaj nënshkroi me Liverpool më 2006. Në “Anfield” ishte një idhull për katër vite. Në verën e vitit 2010 u bashkua me Barçën, pasi kjo e fundit pagoi 24 milionë euro. Si lojtar i Barçës, ai fitoi 18 tituj, përfshirë dy Champions (2011 dhe 2015) dhe pesë La Liga (2011, 2013, 2015, 2016, 2018).