Një nga pamjet më të shpeshta që shohim kur shpërthen një epidemi virusesh është ajo e njerëzve që mbajnë maska kirurgjikale. Përdorimi i tyre është shumë popullor në Kinë, sidomos gjatë ditëve të sotme pas shpërthimit të koronavirusit. Për njerëzit, kjo shërben si masë për të parandaluar infektimin, por edhe për t’u mbrojtur nga niveli i lartë i ndotjes.
Mirëpo sa i vërtetë është ky fakt? Virologjistët janë skeptikë për sa i përket eficencës së tyre kundër viruseve që shpërndahen në ajër. Megjithatë ka disa prova që sugjerojnë se maskat mund të ndihmojnë në parandalimin e infektimit të një virusi nga dora në gojë. Maskat kirurgjikale u prezantuan për herë të parë në shekullin e 18. Ato filluan të përdoren gjerësisht gjatë gripit spanjoll në vitin 1919, që vrau më shumë se 50 milionë njerëz rreth botës.
Doktori David Carrington tha për BBC-në se përdorimi i maskave nuk është shumë efektiv kundër viruseve ose baktereve që shpërndahen në ajër. Në fakt kështu transmetohen zakonisht viruset. Prandaj edhe nëse e ke gojën e mbyllur, syri është i ekspozuar. Megjithatë maskat mund të ulin rrezikun e marrjes së virusit nga prekja e gojës me duar. Sipas një studimi në vitin 2016, njerëzit prekin fytyrën të paktën 23 herë në orë, shkruan “klan”.
Sipas doktorit tjetër, Connor Bramford, mënyra më e duhur është marrja e masave sa më të thjeshta higjienike. “Të mbulosh gojën kur tështin, të lash duart dhe të mos i vendosësh në gojë pa i larë mund të ndihmojë në uljen e riskut për t’u infektuar nga një virus”, tha ai. Sipas mjekëve, njerëzit duhet të përqendrohen e të mbajnë një higjienë të mirë personale dhe të duarve nëse janë të shqetësuar rreth një virusi.