Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka zbritur në terren me synim ndëshkimin e shkelësve dhe rikuperimin e humbjeve. Departamenti i Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve, strukturë brenda Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është duke ushtruar kontrolle përmes12 grupeve në të gjithë vendin. “Në fokus të punës është zbulimi i vjedhjes së energjisë elektrike dhe rikuperimi i humbjeve në sistemin shpërndarës”, deklaroi Armand Zhuka, drejtori i departamentit. Si rezultat i kontrolleve në muajin janar, janë zbuluar dhe proceduar 42 abonentë për vjedhje të energjisë elektrike, përmes skemave të ndryshme, si furnizim me linjë të dytë, konsum energjia pa kontratë dhe ndërhyrje në matës.
Dhjetë abonentë rezultuan konsumatorë privatë, pra biznese. Bazuar mbi provat, abuzimi është kryer në bashkëpunim me elektriçistët, por edhe në kushtet e neglizhencës, ndaj OSSH mori masa për gjashtë punonjës. Struktura e Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve është njësi e posaçme për realizimin e operacioneve në terren kundër abuzuesve me ligjin dhe nuk ka qëllim në vetvete procedimin nga policia gjyqësore, por tashmë me miratim nga Enti Rregullator i Energjisë, “faturimin” e kilovatëve të vjedhur/humbur.