Ish-juristi i OSHEE Romeo Kara ka treguar në studion e Report Tv se 10 ditë pas deklarimit që ka dhënë në Komisionin Hetimor për dosjen CEZ bashkëshortja e tij dhe vajza e tij e vogël janë aksidentuar ndërkohë që ka rrëfyer se ai bashkë me fëmijët e tij janë kërcënuar. Ai deklaroi se do të vazhdojë të dalë hapur kundër kësaj çështjeje pasi nuk i trembet kërcënimeve.
“10 ditë pasi kam dhënë dëshminë në Komisionin Parlamentar është aksidentuar vajza e vogël me gruan. Kam bërë denoncim. Kanë kërcënuar fëmijët e mi edhe mua por unë kam dalë hapur dhe do vazhdoj të dal hapur”, tha Romeo Kara.
Ai deklaroi se do të kallëzojë gjyqtarin Lazër Sallaku i cili firmosi mbylljen e dosjes CEZ ndërsa shtoi se do të dorëzojë në SPAK të gjithë provat që disponon lidhur me këtë ngjarje, duke përmendur këtu edhe email-e që nuk janë publikuar më parë. Kara tha se prokuroria nuk ka bërë një hetim të thelluar lidhur me këtë çështje dhe ai nuk është thirrur asnjëherë për të dëshmuar për dy vite me radhë, ndërsa u shpreh se është informuar për lajmet në zhvillim mbi dosjen vetëm përmes mediave.
“Ata patën trimërinë e madhe të vjedhin pasuritë e këtij vendi si në rastin e privatizimit të OSSH. Një gjyqtar që të mbyllë një çështje të tillë ka shumë prova , ka dy arsye ose është i çmendur i papërgjegjshëm ose është komplet i shitur. Ai po shfrytëzon një klauzolë, duke pushuar për 8 ditë një dosje. Unë nuk jam njoftuar për 2 vite rresh as nga prokuroria as nga gjykata. I kam marrë vesh vetëm nga mendja. Edhe vetë prokuroria duhet të jepte kohën e duhur, ndërsa gjyqtari duhet të vinte në dukje një mungesë të plotë hetimi. Unë kam gjetur emailin e parë nga Nuel Kalaj duke thënë se nuk është mirë të minohet puna ime 4-vjeçare. Kam pasur edhe emaile të tjera. Janë dorëzuar në dosje dhe nuk u morën parasysh. Paratë kanë ardhur dhe komisioni parlamentar i ka verifikuar. Paratë kanë hyrë nga janari 2008. Personi i ka shpërblyer CEZ-it me procesin e privatizimit. Është pyetur Ruli, Shkëlzen Berisha. Kurse unë për disa muaj kam bërë një investigim më të madh se ky në volum. Unë kam fotografi në Nuel Kalaj me Genc Rulin dhe Nuel Kalajt i cili ruhej. Mua më rezulton që ai merret me mbjellje patatesh. Pikërisht ky person zgjohet nga gjumi në vitin 2005, merret me energjinë deri në vitin 2013 dhe largohet me 6.8 milionë euro. Ku i ka çuar paratë, prokuroria nuk e ka kërkuar. Interesin për mbylljen e kësaj çështjeje e ka gjithë politika e korruptuar. Duke parë që Sali Berisha nuk është dënuar për asnjë shkelje edhe atyre i shtohet dëshira për ta bërë këtë. Gjyqtari e mori atë vendim pa iu dridhur qerpiku sepse kanë marrë garanci nga ata që kanë në dorë fatet e tyre. Këtu përrallat me Nastradinin dhe Mbret janë përralla me SPAK. Bilancet e OSHEE janë fallco. Nuk mund të lidhesh kontratë me një kompani pa qenë person juridik apo fizik. Këtë gjyqtar do ta kallëzoj për shpërdorim detyre dhe do ia dërgoj të gjithë dosjen SPAK-ut”, u shpreh Romeo Kara.