Duke nisur nga dita e mërkurë, të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 Nëntorit duhet që të aplikojnë në platformën online të rindërtimit dhe të deklarojnë të dhënat për pasojat që ka shkaktuar tërmeti në banesat e tyre. Në një intervistë për televizionin Klan, Arben Ahmetaj, ministër i Shtetit për Rindërtimin, thotë se aplikimi në këtë platformë është i detyrueshëm për të gjithë që kërkojnë dëmshpërblim. Platforma do të ndihmojë që qeveria të ketë të saktë sipërfaqen që do të rindërtohet, zonën dhe llojin e banesës, ndërsa vetë qytetarët do të shohin online ecurinë e kërkesës dhe rindërtimit të shtëpisë së re.
“Në çdo njësi do të ketë zyra, ku kryepleqtë, administratorët, zyrat e rindërtimit do të hedhin formularët një nga një elektronikisht dhe do të asistojnë qytetarët në mënyrë që të kalojmë te përfitimi. Qytetarët të bëjnë aplikimin sapo të hapet. Momenti i parë është vetëdeklarim, dosja ligjore do të dorëzohet në një moment tjetër”. Qeveria ka përgatitur planet vendore se ku do të rindërtohet. Këtë të mërkurë kaloi masterplani për qendrën e Shijakut dhe banesat që do të ndërtohen nga republika e Turqisë në Laç, javën e ardhshme kalon plani i detajuar i Thumanës dhe ka nisur puna për përgatitjen e modelit të banesave individuale që do të rindërtohen në zonat rurale.
“Ka nisur procesi i hartimit të modeleve të shtëpive të tyre, të cilat si nga ana urbanistike dhe siguria do të kenë standarde bashkëkohore, duke zbatuar euro-kodet dhe rregullat antisizmike.” Deri tani fatura e dëmeve të tërmetit arrin në 1.1 miliardë euro, por raporti përfundimtar është ende në fazë hartimi Organizata e Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore dhe Komisioni Europian. Arben Ahmetaj thotë se Durrësi dhe Tirana kanë dëmet më të larta, ndërsa brenda faturës është llogaritur edhe kosto që tërmeti i ka shkaktuar ekonomisë.
“Më 4 Shkurt i shpërndahet donatorëve me një letër sensibilizuese që të ndihmojnë Shqipërinë. Është bërë vlerësimi i dëmeve që do të ketë në ekonomi tërmeti, qoftë në parashikimin e rritjes, apo deri diku edhe të rënies.” Minsitri Ahmetaj thotë se rindërtimi tashmë ka nisur. Deri tani janë dhënë 1500 leje me procedurë të përshpejtuar për të filluar ndërtimi i disa banesave ndërsa është i bindur se të gjithë që kanë mbetur të pastrehë do të jenë në shtëpitë e reja në Maj të vitit të ardhshëm.