Dy muaj para vendimit për negociatat, eurokomisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi do të zhvillojë sot takime zyrtare në Tiranë. Zyrtari i lartë i BE-së do të japë porositë e fundit për politikën shqiptare para Samitit të Këshillit Europian, në të cilin vendet anëtarë do të vendosin nëse Shqipëria e meriton apo jo driten jeshile për hapjen e negociatave. Çështja e negociatave për Ballkanin Përendimor do të sjellë eurokomisionerin për zgjerimi Olivér Várhelyi sot në Tiranë.

Pas takimeve me kryeministrin francez dhe ministrin e Jashtëm holandez, Varhelyi do t’i përcjellë krerëve të shtetit shqiptar rezervat dhe kërkesat që kanë këto dy vende skeptike ndaj vendit tonë. Holanda ka kërkuar nga autoritetet shqiptare rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Axhenda e takimeve në Tiranë- Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, zyrtari i lartë i BE-së do të ketë takime me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi. Gjithashtu eurokomisioneri ka lajmëruar takime edhe me përfaqësuesit e opozitës, por pa caktuar nëse do të jetë ajo parlamentare apo PD bashkë me aleatët e saj.

Ora 10:30 konferencë e përbashkët me kryeministrin Edi Rama. Ora 12:45 takim me Presidentin Ilir Meta Ora 15:00 takim me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi Ora 16:00 në “Europa House” takim me opozitën Vizita në Tiranë vjen pas takimeve të eurokomisionerit me përfaqësuesit politikë në Maqedoninë e Veriut. Në fund të marsit, në mbledhjen e Këshillit Europian pritet të merret vendimi nga shtetet anëtare të unionit në lidhje me negociatat për Tiranën dhe Shkupin.

Varhelyi pas takimeve politike do të vizitojë edhe zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe qindra banesa të shkatërruara. Ndërkohë që me 17 shkurt Komision Europian do të mbajë në Bruksel edhe Konferencën e Donatorëve, për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë.