Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë në mbledhjen e Asamblesë Socialiste në Cërrik, ku deklaroi se Kongresi zgjedhor i PS-së do të zhvillohet më 29 shkurt 2020. Në fjalën e tij, Balla tha se Partia Socialiste është e vetmja parti që ka përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kryetarëve parimin e barazisë gjinore.

“Prej disa muajsh jemi në proces riorganizimi, ripërtëritjeje dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme parlamentare te qershorit 2021 dhe pasi kemi zgjedhur kryetarët e organizatave, delegatët e Kongresit, tani Asambletë e zgjeruara zgjedhin edhe kryetarin e Partisë Socialiste për çdo bashki”, tha Balla.

Ai theksoi se “ne jemi e vetmja parti që kemi përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kryetarëve parimin e barazisë gjinore, duke vendosur të fillojmë të zbatojmë një normë të re të organizimit ku drejtimi i organizatave i besohet një burri, ose djali dhe një gruaje, ose vajze”. “Kemi bërë dhe zgjedhjen me “një anëtar një votë” të të gjithë delegatëve të Kongresit, tani brenda mes janarit po përmbyllim procesin me zgjedhjen e kryetarëve të partisë”, tha Balla.

Sipas Ballës, procesi i riorganizimit vijon më pas me Kongresin zgjedhor që do të zhvillohet më 29 shkurt 2020. Duke folur për objektivat e këtij viti, Balla theksoi se “viti i ri 2020 është viti i rindërtimit, i ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti”.

“Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re. Po ashtu, deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja”, deklaroi Balla.