Deputeti socialist Taulant Balla ka përkujtuar sot përvjetorin e krijimit të Forumit të Rinisë Eurosocialiste. Ai e ka cilësuar atë si organizatën më të madhe politike rinore në Shqipëri, që lindi pikërisht më 15 janar 1992.
Balla shkruan: Më 15 Janar 1992 me nismën e disa djemve vajzave, studentë e gjimnazistë, të cilët në fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri përqafuan vlerat e socialdemokracisë europiane, lindi organizata më madhe politike rinore në Shqipëri:
Forumi i Rinisë Eurosocialiste. Misioni i FRESSH ishte dhe mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk është aspak e rastësishme që ky orientim i spikatur i të rinjve eurosocialistë shqiptarë, u gdhend edhe në simbolin e parë të FRESSH: një lulëkuqe kuq e zi (simboli i parë i Partisë Socialiste) përkrah 12 yjeve të Bashkimit Europian.
FRESSH nuk ishte dhe nuk është vetëm organizata më e madhe politike rinore në Shqipëri për nga numri i anëtarëve ndër vite, por gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm në historinë politike të familjes sonë socialiste dhe të politikës shqiptare. Sot FRESSH është një pjesë e rëndësishme e strukturës së Partisë Socialiste në çdo qytet e fshat të Shqipërisë. Vajza dhe djem freshistë janë çdo ditë të angazhuar në shumë inicijativa rinore e plot nisma sociale për t’ju gjendur pranë njerëzve në nevojë apo si vullnetarë të palodhur të Shqipërisë solidare. Faleminderit FRESSH! Gëzuar të dashur motra dhe vëllezër freshista!