Të gjitha shpronësimet që kryhen nga institucionet e ndryshme shtetërore për realizimin e investimeve publike do të centralizohen në një agjenci të posaçme.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh sot se, “ngritja brenda këtij viti e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve për interes publik, do të eliminojë problemin e mbartur të shpronësimeve. Kjo agjenci do të përqendrojë të gjitha procedurat e shpronësimeve, duke garantuar zgjidhje të çdo rasti kur kërkohet shpronësim nga secili institucion shtetëror dhe reduktuar kështu burokracisë në këtë proces”.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të pr/ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për ineteres publik”, të ndryshuar, Balluku theksoi se “respektimi i afateve të kompensimit të shpronësimeve në këtë ligj janë të përcaktuara qartë, duke i dhënë mundësi pronarëve që të shpronësohen në mënyrë sa më të shpejt palët.Ky është një process që sot ne kemi gjyqe të hapura përsa i përket vlerësimit të truallit gjë e cila do të marr fund”.

Përsa i përket eficencës së agjencisë , Balluku shpjegoi se, “agjencia është dizenjuar mbi bazën e të gjitha eksperiencave që ne kemi hasur. “Ne kemi ndërtuar zgjidhje që duhet të ketë çdo problematikë për çdo projekt. Detyrimet, përgjegjësitë dhe gjithë çka që kjo agjenci duhet të kryejë janë të bazuara mbi praktikat dhe problematikat aktuale që ne kemi hasur deri më sot”, ndërsa nënvizoi se edhe pjesa e bisedimeve bilaterale për shpronësimet me interes publik, është e parashikuar më së mirë në procedurën e kësaj agjencie.

“Agjencia ka të drejtë të hyjë në negociata me subjektet që shpronësohen, përsa i përket vlerës së shpronësimit dhe afatit të shlyerjes së kësaj vlere, duke ulur kështu numrin e çështjeve në gjykatë, pasi do të ngrihet një grup i specializuar për këto çështje”, tha Balluku. Sipas saj, mbledhja e të gjithë ekspertëve të kësaj fushe që janë të shpërndarë në institucione të ndryshme, do të sjellë një ekspertizë më të specializuar në çështjet e shpronësimeve për interes publik dhe shteti do të ketë një faturë financiare paraprake, përpara se të nisë projektin. “Krijimi Agjencisë nuk do të ndryshojë çmimin e shpronësimit. Ajo bëhet sipas akteve në fuqi dhe, kur flasim për token, ajo bëhet nëpërmjet një VKM-je dhe çmimit referencë të tokës, që është e njëjta që përdor Agjencia e Pronave”, tha Balluku.