Delegacioni i Barcelonës në Jeddah, qytetin e Arabisë Saudite ku do të zhvillohet Superkupa e Spanjës, e ka ndarë një pjesë të vëmendjes së vet për konfliktin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Edhe pse asnjë problem s’pritet të ndodhë në zonën ku po qëndron Barcelona dhe gjysmëfinalistët e tjerë (Real Madridi, Atletico Madridi dhe Valencia), ekipi i sigurisë së klubit katalonas është duke e monitoruar situatën, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.
Të mërkurën, Irani i sulmoi me raketa dy baza ushtarake të SHBA-së në Irak, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qasem Soleimanit, i cili ishte gjeneral i lartë iranian në Gardën Revolucionare Islamike dhe pastaj komandant i një njësie të specializuar brenda kësaj Garde.
Edhe pse Arabia Saudite nuk ka kufi me Iranin, dy vendet kanë qenë rivale historikisht për arsye fetare – ato i ndjekin kryesisht dy sekte të ndryshme të Islamit – Irani i takon kryesisht sektit Shiia, ndërsa Arabia Saudite e sheh veten si fuqinë kryesore të Islamit Sunni. Tensionet mes tyre vijnë edhe për arsye gjeopolitike dhe ekonomike.
Barcelona arriti në Jeddah të martën dhe do të përballet me Atletico Madridin në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës të enjten në mbrëmje, përderisa Real Madridi do të luajë kundër Valencias të mërkurën.
Fituesit e dy gjysmëfinaleve do të takohen pastaj të dielën në finale. Të tria ndeshjet do të zhvillohet në stadiumin King Abdullah Sports City.