Kampionia në fuqi e Spanjës, Barcelona, e ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me SC Bragan për transferimin e 20-vjeçarit portugez Francisco Trincao, i cili njihet si “Cristiano Ronaldo i ri”. Marrëveshja për transferimin e Francisco Trincaos është arritur për 31 milionë euro dhe futbollisti do t’i bashkohet klubit katalonas në fund të këtij sezoni, gjatë verës. Sulmuesi është krahasuar me bashkëkombësin portugez Cristiano Ronaldo nga disa tifozë dhe gazetarë. Barcelona e kishte të drejtën për të qenë opsioni i parë për ta blerë Trincaon dhe tani e ka shfrytëzuar këtë të drejtë.
Ai do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare, që do ta mbajë atë në Camp Nou deri në vitin 2025. Klubi i ka vendosur atij klauzolë për shkëputjen e kontratës në vlerë prej 500 milionë eurosh. Barcelona kishte qenë e përfolur për transferimin e sulmuesit portugez gjatë këtij afati kalimtar të janarit, pasi që Luis Suarez e pësoi një lëndim të rëndë, që e mban atë jashtë fushës së blertë për katër muaj. Klubi katalonas thuhej se është interesuar edhe për disa sulmues të tjerë – si Willian, Rodrigo dhe Richarlison – por tani raportohet se asnjë lojtar tjetër nuk do të arrijë në Barcelonë gjatë këtij afati kalimtar, që mbyllet sot në mesnatë.