Kryeministri Edi Rama e cilësoi si periudhë e vrasjes politike të opozitës. Ai tha se pas asaj që ndodhi, nuk do të ketë më në Shqipëri një forcë politike që të bëjë të njëjtin gabim si bojkoti, shantazhi apo braktisja e dialogjeve.
“Opozita ka kuptuar që ka vetëm një rrugë, të përgatitet për zgjedhjet. Duhet të kuptoni që detyra ime nuk është të ndihmoj opozitën që të bëhet më e fortë. Opozita shkoi drejt vetëvrasjes për shkak të vendimarrjeve të saja” – tha kryeministri.
Ai u shpreh se kjo opozitë ka pasur hapësirën më të madhe të komunikimit në Kuvend. Duke sjellë në vëmendje kohën kur drejtonte PS-në në opozitë, Rama tha se nuk iu dha kurrë mundësia nga Berisha për t’u ulur në dialog.
“Gjuha e forcës nuk funksionon me mua” – tha Rama. Ai tha se komunikimin e fundit me Bashën e ka pasur kur PD ishte ende në Parlament.