Për kirurgjinë shqiptare pritet të nis një epokë e re moderne, pas 90 vitesh shërbimesh në të njëjtën godinë historike, ku edhe lindi kirurgjia shqiptare.
Ky spital i ideuar nga Jani Basho, i cili solli nga Vjena edhe projektin e realizuar nga Köhler, një ndër arkitektet austriake më të spikatur të kohës, po përjeton ditët e tij të fundit, pasi transferohen pacientët, mjekët, pajisjet.
Profesor. Dr Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë, i cili ka shërbyer 35 vite pranë këtij spitali shprehet se për kirurgjinë shqiptare ky spital për 90 vjet ka qenë ylli polar.
“Këtu filloi gjithçka, ndërhyrjet e para, specialitetet e para, komplikacionet e para, ëndrrat e para. Këtu u ngritën në këmbë e mësuan të ecin vet të gjitha specialitetet e kirurgjisë, të cilat u larguan njëra pas tjetrës, drejt ambientesh të tjera, më të reja e të gjera, kardiokirurgjia, kirurgjia torakale, djegie-plastika, kirurgjia vaskulare, onkologjia, trauma, ortopedia, kirurgjia infantile, reanimacioni, por shpirti i kirurgjisë mbeti këtu, mbeti ajo, Mëma e të gjithëve, Kirurgjia e Përgjithshme”, shprehet Gjata.
Në ambientet e tij, e vijon rrëfimin ai, luftuan këto 90 vjet, mes një mal vështirësish, por me sytë drejt jetës, kirurgët më të shquar shqiptare, Shiroka, Petro Cani, Ferdinand Paparisto, Petrit Gace, Llambi Zicishti, Xhelal Kurti, Panajot Boga, Besim Elezi, Hysen Heta, Arjan Xhumari, Abdi Bala, Rushen Golemi, Pellumb Karagjozi, Simon Capeli, Gazmend Velcani, Luter Kreshpa, Nikollaq Kacani, Mustafa Xhani, Mentor Petrela, Mehdi Agolli, e dhjetëra e qindra të tjerë.
Këtu, deri sot, dhjetëra kirurgë të gjeneratave më të reja, vazhdojnë ta mbajnë gjallë e me nder legjendën e këtij institucioni epic. Këtu u formuan ndër vite armatat e kirurgëve dhe anestezistëve shqiptare e të trojeve gjithashtu. U larguan prej këtu, u shpërndanë nëpër Shqipëri apo larg në botë, duke mbajtur në kujtimet e tyre më të çmuara ate çka fituan këtu, mes mundimesh, përpjekjesh e shpresash. Këtu erdhën me frikë e mes dhimbjesh me mijëra pacientë, por këto klinika ishin dhe mbeten deri në fund, tempuj të shpresës se beteja për jetën, sado e vështirë të jetë, mund të fitohet”, thotë ai..
Ndërhyrja e fundit në klinikën e tretë të godinës së vjetër të Kirurgjisë u krye në datë 4 janar 2020.