Liverpool ka nisur të mendojë për merkaton e verës. Me ekipin që po bën mirë në çdo front, drejtuesit janë gati t’i bëjnë një dhuratë teknikut të tyre, Jurgen Klopp. Në “kuti” mendohet se do të jetë emri i Kylian Mbappe, i cili mund të largohet nga PSG për të provuar një eksperiencë të re Sulmuesi i Paris Saint Germain po mahnit me paraqitjet e tij këtë sezon dhe nuk është çudi që në sezonin e ardhshëm ta shikojmë në një tjetër kampionat.
Madje, “The Reds” janë gati të bëjnë çmendurira vetëm për të marrë në “Anfield Road” talentin 21-vjeçar dhe është gati të paguajë një shumë prej 253 milionë stërlina vetëm për ta vendosur nën urdhërat e teknikut, Klopp. Gjermani e ka shndërruar totalisht ekipin e Liverpool dhe drejtuesit po mendojnë t’ia shpërblejnë në këtë mënyrë mundin e 52-vjeçarit, që po kalon sezonin e tij të 5-të në krye të të kuqve. Kjo do e bënte edhe futbollisti më i kushtueshëm në treg. Rekordin e mban shoku i tij te PSG, Neymar që i kushtoi arkave të francezëve për ta marrë nga Barcelona 222 milionë euro.
Deri më tani, Mbappe ka shënuar 81 herë në vetëm 110 ndeshje për PSG, duke fituar edhe tre tituj të Ligue 1, një Kupë Franceze dhe Kupën e Botës 2018 me kombëtaren e Francës.