Duke filluar nga 15 janari i këtij viti të gjithë qytetarët që kanë shitur një automjet, do të kenë mundësinë ta çregjistrojnë nga emri i tyre pranë DPSHTRR, në rast se blerësi nuk e ka regjistruar mjetin e blerë në emrin e tij. Kjo është një nga risitë e vitit 2020, që do të mund të përdoret online nga të gjithë të interesuarit. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, shpjegon për herë të parë për Report TV këtë sistem të ri. Sipas tij në rast se automjeti nuk regjistrohet nga blerësi, shitësi rrezikon që të ngarkohet me detyrime të shumta nëse blerësi nuk paguan taksa, gjoba apo e përdor mjetin për ngjarje kriminale, e lë peng, etj.
“Çdo gjë mund të ndodhë në dëm të shitësit, mund të ketë gjoba të mjetit të cilat mund të merren pas shitjes dhe meqë mjeti nuk ka ndryshuar statusin e pronësisë në DPSHTRR, ai figuron në pronësi të shitësit, mund të ketë gjoba jashtë shtetit, mund të ketë krime me automjetin, taksa të papaguara apo situata që duhen sqaruar me drejtësinë” pohon Gonxhe.
Por nga mos-regjistrimi i mjetit nuk penalizohet vetëm qytetari që e shet, por edhe blerësi. Pasi sipas drejtorit Gonxhe, për këtë makinë mund të jetë dhënë ndonjë urdhër ndalimi pas aktit të shitjes-blerjes, sekuestro, përmbarim, etj!

“Blerësi natyrisht mund të jetë edhe ai i dëmtuar, mund të jetë një palë e rënduar nga detyrimet që nuk janë të tijat. Në këtë rast mund të jetë një urdhër bllokimi ndaj mjetit i bërë më vonë sesa shitja, por për shkak se nuk është bërë regjistrimi ai mund t’i rëndojë edhe atij derisa ta sqarojë këtë situatë ligjërisht, duke pësuar kalvare e shpenzime” tha Gonxhe.
Të gjithë qytetarët që kanë këtë problematikë do të mund të regjistrojnë mjetin pranë sporteleve të DPSHTRR, deri në 28 shkurt të këtij viti, pa asnjë gjobë. Pas kalimit të këtij afati do të vazhdojë aplikimi i gjobave për blerësit që nuk kryejnë regjistrimin e ndryshimit të pronësisë.
“Në këtë rast blerësi është përgjegjës para ligjit, ai ka detyrimin që të paguajë edhe gjobën që vendos Kodi Rrugor në rast se nuk bën regjistrimin brenda 10 ditësh nga akti i shitjes. Deri më sot kjo nuk është zbatuar. Kodi rrugor është i qartë, gjoba është 10-40 mijë lekë në varësi të vonesës, pra kur vonesa është maksimale edhe gjoba është maksimale”, shpjegon drejtori i DPSHTRR.

Të gjithë personat qofshin shitës apo blerës mund të aplikojnë online si për regjistrim të mjetit ashtu edhe për çregjistrim të tij. Shitësi mund të heqë statusin e pronësisë, duke depozituar dokumentin e akt-shitjes vetëm me një pagesë minimale 1 mijë lekë! Paraprakisht ende nuk ka një shifër zyrtare se sa është numri i këtyre mjeteve që janë shitur por që nuk janë regjistruar në pronësinë e përdoruesit, por ky shërbim risi ju vjen në ndihmë shumë qytetarëve që vuanin problematikën e krijuar nga mosdeklarimi e mosregjistrimi i pronësisë së mjeteve konform ligjit.