Angel Di Maria i Paris Saint-Germainit ka luajtur me disa nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij gjatë karrierës së tij me Real Madridin, Manchester Unitedin, Paris Saint-Germain e Kombëtaren e Argjentinës. Prej të gjithë bashkëlojtarëve të tij, ai e cilëson Lionel Messin më të mirin. Argjentinasi Angel di Maria e quajti Santiago Bernabeun shtëpi për katër vjet, 2010-2014, gjatë të cilave luajti përkrah Cristiano Ronaldos dhe fitoi tituj të Ligës së Kampionëve, La Ligës dhe Kupës së Mbretit.
Pas kësaj periudhe erdhi një më zhgënjyese në Manchester Unitedit, mirëpo argjentinasi e pati mundësinë ta shijojë faktin se luante dhe stërvitjet me golashënuesin më të mirë anglez në histori, Wayne Rooneyn, të cilin e vlerëson mjaft. Dhe përderisa Di Maria e pranon se për të ka qenë ëndërr të luajnë bashkë me disa ndër futbollistët më të mirë në futbollin modern, lëvdatat më të mëdha i ruajti për bashkëkombësin e tij, Messin.
“Ishte një ëndërr për mua ta kem mundësinë të luaj me Wayne Rooneyn, Zlatan Ibrahimovicin, Cristiano Ronaldon, Leo Messin… ata janë lojtarë të mrekullueshëm të cilët i zgjedh në PlayStation dhe kurrë s’do ta kisha paramenduar se do të luaja me ta”, ka thënë Di Maria. “Unë i shikoja ndeshjet e tyre dhe fakti që e pata mundësinë të luaj me ta është shumë i mirë për mua. Leo është më i miri nga të katërtit, Cristiano është bishë dhe Neymari është thjesht kënaqësi për futbollin. Ai është brazilian dhe kur luan, vetëm argëtohet”.