Në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit u zhvillua edhe mbledhja e dytë e “Parlamentit të Nxënësve”.  Në fokus të kësaj mbledhjeje ishte propozimi dhe miratimi i rregullores së këtij organi këshillimor, zgjedhja e kryetarëve të komisioneve parlamentare sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë, si dhe miratimi i planit vjetor të aktiviteteve për vitin 2020.

“Edukimi është njëkohësisht edhe ushtrim demokracie”, shprehet Ministrja Shahini ndërsa thekson se “nëpërmjet këtij parlamenti, ne po i edukojmë brezat tanë të ngrenë zërin e tyre dhe të prezantojnë idetë, projektet dhe programet më të mira për t’i zbatuar nëpër shkollat tona”.  “Parlamenti i Nxënësve” ka dy dhoma: për 9-vjeçaret dhe për shkollat e mesme. Ai shërben si organ këshillimor pranë ministrit nëpërmjet të cilit përfaqësuesit prezantojnë ide, projekte e programe që janë në funksion të eksperiencës shkollore.