Pas aksidentit me vdekjen e dy personave në zonën e ‘Xhamllikut’ për shkak të shpejtësisë të ndodhur më 2 Janar, Policia Rrugore ka nisur monitorimin me Radarin e ri të sofistikuar ‘TruCam’ në akset kryesore të Tiranës që konsiderohen si ‘pikat e zeza’ për aksidentet.

Radari i ri ishte parashikuar që të futej në punë gjatë ditëve në vijim por aksidenti i ndodhur dy ditë më parë dhe që u konstatua që shpejtësia ishte shkaku, procedurat u përshpejtuan dhe Policia Rrugore ka nisur përdorimin prej më shumë se një dite. Radari kap çdo mjet që lëviz mbi 40 km në orë, shpejtësi kjo që parashikohet për lëvizjet në rrugët brenda qytetit. Deri ne 20 km në ore mbi shpejtësinë 40 km masa e gjobës shkon nga 2 mije deri në 6 mijë lekë. Mbi 20 km në orë nga 40 km që janë tabelat përveç gjobës hiqet patenta nga 1 deri në 3 muaj.

Monitorimi ka nisur që dje dhe deri sot janë, 28 patenta të pezulluara dhe 45 gjoba të cilat kanë shkelur shpejtësin. Ky monitorim do të jetë i pandëprerë deri në një vendimarrje të dytë në rrugët e Tiranës. I njëjti radar dixhital që lexon në kohe reale targën mat shpejtësinë dhe fotografon shoferin do te jete në të gjitha autostradat dhe në rrugët e Tiranes si fillim.

Në ndryshim nga radarët e tjerë ky radar që ka marrë në përdorim Policia Rrugore, arrin që të kthejë me video momentin e shkeljes së shoferit në raste kundërshtimi të masave administrative.

Ndërkohë Shefi Qarkullimit për Tiranën, Taulant Gjoka është shprehur se radari i ri është i pajisur me fjalën e fundit të teknologjisë dhe se do të shpërndahet në shumë ‘pika të zeza; për aksidentet.

“Ka teknoligjinë më të fundit. Ndryshe nga radarët e tjerë është më i sofistikuar për të qenë më bindës. Ka mundësinë e rikthimit të videos në momentin e shkeljes për të cdo konstatim. Këto masa do të vijojnë deri në një moment të dytë. Kur rrugët janë të boshatisura janë tendecë për të ecur me shpejtësi. Radari të mundëson në kohë reale që shoferi të shikojë hskeljen e bërë me video të dokumentuar. Pas festave ka tendencë për të ecur me shpejtësi apo përdorimin e mjetit nën efketin e alkoolit. Kemi nisur monitorimet në pikat më te zeza. Për efekte të befasisë ne do të lëvizim shpesh herë. ” u shpreh Shefi i Qarkullimit për Tiranën Taulant Gjoka.