Janë tensionuar së tepërmi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, nga trupat amerikane.
Pas kërcënimeve nga Irani, ka ardhur reagimi i ashpër dhe paralajmërues i Presidentit të SHBA, Donald Trump. Ky i fundit paralajmëron Iranin se nëse sulmon Amerikën, do të goditet më shumë.
“Ata na sulmuan dhe ne kundërvepruam. Nëse ata sulmojnë përsëri, ne do t’i godasim më shumë”, shprehet Trump.
Më tej, me po të njëjtën gjuhë të ashpër, i pari i SHBA i kujton Iranit se ka shpenzuar dy trilion dollarë për pajisje ushtarake dhe se vendi i tij është fuqia më e madhe botërore.
“Shtetet e Bashkuara sapo kanë shpenzuar dy trilion dollarë në pajisje ushtarake. Ne jemi më të mëdhenjtë dhe deri tani më të mirët në botë! Nëse Irani sulmon një bazë amerikane, ose ndonjë bazë amerikane, ne do të dërgojmë disa nga ato pajisje të reja të mrekullueshme, dhe pa hezitim!”, shkruan Presidenti Trump.