Ish deputeti demokrat Ervon Salianji është dënuar me një vit nga Gjykata Penale e Tiranës në lidhje me dosje “Babale”.
Sipas Gjykatës, rezultoi e provuar që i pandehuri Ervin Salianji në bashkëpunim me të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe Jetmir Olldashi kanë bashkëautorësinë e kryerjes së kësaj vepre penale dhe veprimet e tyre të bashkërenduara të kundërligjshme dhe me rrezikshmëri shoqërore, kanë cënuar objektin e veprës penale marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj për të siguruar veprimtarinë e rregullt e normale të organeve të drejtësisë nga veprimet e kundërligjshme dhe për të siguruar të drejtat dhe liritë e individit, objekt i një proçedimi penal te regjistruar si pasojë e veprimeve të paligjshme të personave që abuzojnë padrejtësisht me kallëzimet e tyre duke avancuar per me teper ne sajimin e provave te rreme për të inicuar fiktivisht ndjekje penale.
Rezulton e provuar që i pandehuri Ervin Salianji e ka konsumuar veprën penale që i atribuohet me veprime aktive të kundërligjshme e në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe Jetmir Olldashi, veprime këto të cilat konsistojnë në një kontribut relevant, të zgjatur në kohë e të qëndrueshëm në planifikimin, përgatitjen, realizimin e një audiopërgjimi të rremë midis dy të pandehurve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, shpërndarjen e këtij audiopërgjimi dhe publikimin mediatik të tij duke i atribuar kryerjen e një vepre penale të rëndë shtetasit Geron (Agron) Xhafaj me qëllimin e inicimit të një procedimi penal ndaj tij dhe realizimin e interesave politike për vete dhe forcën politike të përfaqësuar (i pandehuri Albert Veliu është akomoduar ne selinë e P.D-së, ku dhe ka dhënë deklarata e intervista mbi këtë audiopërgjim duke konfirmuar vërtetësinë e tij, i shtyrë për motive qefmbetje me të kallëzuarin dhe të perfitimeve monetare të premtuara sipas tij për të dhe të pandehurin tjetër protagonist i vërtetë në audiopërgjim Fredi Alizoti.
Faktet e zbardhura nga Gjykata
Ka rezultuar e provuar që të dy të pandehurit Albert Veliu dhe Fredi Alizoti e kanë regjistruar bisedën e stimuluar, në muajin janar të vitit 2018, në qytetin e Vlorës, tek një lokal që ndodhet përballë lokalit të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj. Bisedën ata e kanë regjistruar tek një mjet regjistrues i tipit stilolaps dhe mbasi kanë ardhur në Tiranë, i pandehuri Albert Veliu i’a ka dorëzuar të pandehurit Ervin Salianji, i cili ishte dhe personi që i kishte dhënë këtë mjet.
Në materialin e fabrikuar dhe të publikuar është paraqitur regjistrimi ambiental dhe i transikriptuar i zërit të pandehurit Albert Veliu, gjatë kohës që ai ndodhej në një automjet duke stimuluar sikur po kryente një bisedë telefonike me shtetasin Geron (Agron) Xhafaj.
Vlen për t’u theksuar se dijenia dhe kontributi i të pandehurit Ervin Salianji në veprimtarinë kriminale të paramenduar nga i pandehuri Albert Veliu dhe të mirëorganizuar me ndihmesën e të pandehurit Ervin Salianji dhe të bashkëtëpandehurve të tjerë Fredi Alizoti dhe Jetmir Olldashi ka iniciuar që në datën 20.10.2017, ora 10:06:26, kur numri telefonik 0699324140 në përdorim të shtetasit Albert Veliu ka telefonuar numrin telefonik 0692085947 në përdorim të shtetasit Ervin Salianji dhe biseda ka zgjatur 51 sekonda. Ky komunikim që përveç motivit të kryerjes së këtij audiopërgjimi, nuk i lidh të pandehurit me asnjë shkak tjetër të mundshëm e të njohur komunikimi (miq, të aferm, etj), dhe ka vijuar midis të pandehurve të tjerë përgjatë disa muajve deri në publikimin e këtij audiopërgjimi të rremë e pas tij.
Roli i Salianjit
Sipas Gjykatës ka tregues që faktojnë përfshirjen aktive të bashkëtëpandehurit Ervin Salianji në kryerjen e veprës penale në bashkëpunim me të pandehurin Albert Veliu, pasi tregojnë e vërtetojnë veprimtarinë aktive të tij në pergatitjen e më tej fabrikimin e sajimin e provave te rreme, duke u angazhuar që disa kohë më parë se të realizohej audiopërgjimi kompromentues i sajuar midis të pandehurve Albert Veliu e Fredi Alizoti, dhe se është pikërisht i pandehuri Ervin Salianji ai që ka realizuar kontaktin midis të pandehurve Albert Veliu dhe Jetmir Olldashi, duke qenë ky i fundit nderlidhësi i tyre më pas.
Gjithashtu, veprimtaria kriminale e të pandehurit Ervin Salianji tej kontributit të tij për realizimin e audiopërgjimit të sajuar, ka avancuar e vijuar me bashkëpunimin e të pandehurit Ervin Salianji edhe në parashtrimin publikisht në media duke e adresuar drejtpërdrejt në organet proceduese të drejtësisë, të një kallëzimi penal (duke bërë deklarata publike e adresuar në organet e drejtësisë fillimin e procedimit penal për veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve (të rreme) ndaj shtetasit Geron(Agron) Xhafaj.
Deklarimi publik e mediatik i bërë (i adresuar si kallëzim) dihet që është realisht i rremë, pasi në përmbajtjen e tij nga i pandehuri Ervin Salianji në bashkëpunim me të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti e Jetmir Olldashi janë dhënë informacione që nuk i përgjigjen të vërtetës për kryerjen e një krimi (“Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal) që në të vërtetë nuk është kryer, bazuar në një audiopërgjim të sajuar, i atribuar nga te pandehurit Albert Veliu e Ervin Salianji ndaj shtetasit Geron (Geron (Agron) Xhafaj (për kryerjen e veprimeve kriminale te sajuara ne blerjen prej tij per trafikimi te nje sasie lënde narkotike të deklaruara nga të pandehurit sikur janë kryer nga personi që është cënuar nga ky kallëzim), me qëllim që organet e drejtësisë të fillonin ndjekjen penale ndaj këtij shtetasi.
Rezultoi tërësisht e provuar nga aktet hetimore, aktet provuese të sipërcituara dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale që kjo vepër penale të jetë konsumuar nga i pandehuri Ervin Salianji në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë. Konkretisht rezultojnë një numër i konsiderueshëm bisedash telefonike midis të pandehurve, ku nga transkriptet e bisedave telefonike të pergjuara të detajuara ne rrethanat e faktit vihet re se, midis shtetasit Albert Veliu dhe Fredi Alizoti ka shumë komunikime pas publikimit të audioregjistrimit të bisedës kompromentuese që tregon bashkëpunimin midis tyre.
Në tre biseda telefonike të përgjuara, qartësisht i pandehuri Fredi Alizoti pohon që është ai personi që ka bërë rolin e Geron (Agron) Xhafaj në audiopërgjimin e publikuar. Këtë fakt ai e pranoi edhe në deklarimet e dhëna përpara Gjykatës, duke shpjeguar edhe mekanizmin si ishte realizuar stimulimi.
Veprimet aktive të të pandehurit Ervin Salianji në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, e njëkohësisht të kundërligjshme lidhur me planifikimin, përgatitjen, realizimin e një audiopërgjimi të rremë midis dy të pandehurve Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, shpërndarjen e ketij audiopërgjimi dhe publikimin mediatik te tij duke i atribuar kryerjen e një vepre penale të rëndë shtetasit Geron (Agron) Xhafaj me qëllimin e inicimit të një procedimi penal ndaj tij dhe realizimin e përfitimeve materiale për të pandehurit Albert Veliu dhe Fredi Alizoti, e po kështu shfrytëzimin e këtij audiopërgjimi për realizimin e interesave politike për të pandehurin Ervin Salianji provojnë lidhjen e drejtpërdrejtë shkakësore të veprimeve të bashkërenduara të secilit prej të pandehurve me pasojën e ardhur ne fillimin e një procedimi penal ligjërisht të pabazuar dhe të mbeshtetur në prova të sajuara e të rreme.
Është një fakt i provuar nga aktet provuese, veçanërisht nga permbajtja e transkripteve të bisedave telefonike të sipërevidentuara midis të pandehurve, ku evidentohet dhe vërtetohet pjesëmarrja aktive e të pandehurit Ervin Salianji në të gjithë veprimtarinë e kundërligjshme sëbashku me të pandehurit e tjerë Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe Jetmir Olldashi lidhur me planifikimin e veprimeve të tyre në rend kronologjik e të miremenduar për realizimin e këtij audiopërgjimi nga përgatitja e kushteve, mjeteve, vendit, subjekteve e deri në mënyrën e publikimit mediatik te tij dhe servirjen si krim i rëndë i kryer nga shtetasi Geron (Agron) Xhafaj.
Gjykata: Salianji përbën rrezikshmëri
Pas shqyrtimit të akteve provuese Gjykata konkludoi se i pandehuri Ervin Salianji ngarkohet me përgjegjësi penale dhe duhet të deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale të “Kallëzimit të rremë të kryer në bashkepunim”, të parashikuar nga nenet 305 e 25 të Kodit Penal.
Lidhur me llojin dhe masën e dënimit që duhet të caktohet për të pandehurin Ervin Salianji, Gjykata bazuar ne nenet 47, 49,50. te K.Penal ka detyrimin ligjor të marrë në konsideratë faktin që vepra penale që i atribuohet të pandehurit përbën një krim dhe si e tillë paraqet rrezikshmëri shoqërore, rrezikshmërinë e të pandehurit, i cili rezulton i padënuar më parë, por fakti që kjo veper penale është kryer në bashkëpunim dhe që parë lidhur edhe me funksionin e tij kushtetues si deputet i Kuvendit te Shqipërisë në kohën kur ka ndodhur fakti penal, që e lehtësojnë arritjen e rezultatit kriminal janë tregues i rrezikshmërisë së tij, shkallën e fajësisë në kryerjen e veprave penale (dashje direkte), moshën dhe nivelin arsimor të tij, motivin për interesa politike që e ka shtyrë në kryerjen e veprës penale të parashikuar nga nenet 305 e 25 të K.Penal, si dhe rolin e tij ne kryerjen e vepres penale si bashkeorganizator.
Gjykata vlerëson se për shkak të rëndësisë së padiskutueshme të marrëdhënieve juridike të cënuara nga kjo vepër penale (veprimtaria e rregullt e organeve të drejtësisë dhe të drejtat e liritë e njeriut), si dhe faktit që i pandehuri e ka kryer këtë vepër nisur nga motive te dobëta (politike), duke bërë që të ezaurohen në kohë, në vëmendje dhe në veprime proçeduriale të panevojshme shërbimet e Policisë Gjyqësore e të organeve proçeduese, lloji i dënimit me burgim i kërkuar nga organi i akuzës për t’u caktuar ndaj të pandehurit për akuzën e atribuar, është ligjërisht i bazuar në dispozitën përkatëse penale.