Nga Alfred Peza/
Gazeta britanike “The Times” rihapi çështjen e kryetarit të opozitës shqiptare Lulzim Basha, rreth skandalit të lobimit prej 675 mijë dollarësh, me paratë ruse. Ajo shkruan se “një SLP (Partneritetet e Kufizuara Skoceze) në qendër të një hetimi mbi krime të pretenduara të financimit të fushatës së Lulzim Bashës, udhëheqësit të opozitës së Shqipërisë, shkeli këtë rregull pa u ndëshkuar.”
Pasi hedh dritë mbi skemën që është përdorur për rastin shqiptar, artikulli mbyllet: “SLP në qendër të skandalit politik të Shqipërisë ishte “Tregtia Biniatta” e regjistruar në Edinburgh. Në vitin 2018 regjistrimet publike treguan se kishte paguar qindra mijëra dollarë një lobisti amerikan në emër të Partisë Demokratike të z. Basha. Z. Basha fillimisht u akuzua për pastrim parash por kjo akuzë u rrëzua. “Biniatta Trade” u lejua të ndryshojë emrin e saj dhe pastaj të shpërbëhej vitin e kaluar pa identifikuar kurrë një pronar të vërtetë përfitues.”
Provat e reja që kanë dalë në dritë, detyrojnë rihapjen e çështjes dhe shkuarjen deri në fund të hetimeve për zbulimin e të vërtetës dhe ndëshkimin e fajtorëve, pas mbylljes që gjykatat i bënë kësaj dosje para pak ditësh. Prokuroria Speciale ose e thënë ndryshe SPAK, ka mundësinë e artë që nëpërmjet kësaj çështje, të japi një provë reale se pritshmëritë që kanë shqiptarët për të do të përmbushen dhe se do të kemi një provë shprese, se pandëshkueshmëria do të nisë të marë fund edhe në Shqipëri.
Ironia është se ndërkohë që mediat në Tiranë po i bënin jehonë shkrimit të “The Times”, nga selia e Partisë Demokratike u bë publike një kërkesë drejtuar prokurorisë për çështjen e përgjimeve në zgjedhjet e pjeshme për bashkinë e Peshkopisë. Përmes saj, i bëhej jehonë medias gjermane “Bild” duke e cilësuar atë si “prestigjoze”. Të gjithë e dinë tashmë se bëhet fjalë për një media bulevardeske, e cila në gjuhën e gazetarisë, do të thotë jo serioze. Jo profesionale.
Pavarësisht kësaj, nga selia e Partisë Demokratike të Lulzin Bashës, mungon një reagim në lidhje me artikullin e gazetës britanike “The Times”. Nuk mund ta dijmë nëse do ta kemi herët ose vonë një të tillë, por e sigurtë është që për opozitarët, për PD, për Lulzim Bashën dhe të tjerët pranë tyre, kjo media do të jetë aspak serioze. Do jetë pse jo, “e blerë nga Sorosi” e shumë etiketime të tjera të këtij lloji.
E sigurtë është gjithshtu se askush prej tyre nuk do të jetë kurrë i prirur që të meret publikisht me thelbin e të vërtetave juridike që botoi “The Times”. Sepse kjo është pjesë e kulturës, e funksionimit, e qasjes, e steriotipit të sjelljes dhe mënyrës së reagimit publik të opozitarëve tanë, në raportin mes të vërtetës dhe mjeteve apo mediave që e transmetojnë atë publikisht.
Opozitarët tanë kur nuk kanë argumenta për të dhënë, nuk kanë prova për tu mbrojtur, e kanë gjithmonë gati zgjidhjen. Fillojnë luftën poshtë brezit, me sharje, fyerje, etiketime. Luftën me dhunë verbale përmes “argumentash” që i nxjerrin nga dheu, që i shpikin nga fantazia e tyre e sëmurë, vetëm e vetëm për ta delegjitimuar të vërtetën që ofrohet në dritë të diellit.
Nuk besoj se e keni harruar sesi po nga liderët e opozitës sonë, prestigjozia “The New York Times” u quajt “një letër higjenike” kur u mor dikur me çështjen e tragjedisë së Gërdecit. Apo kur një media inekzistente në Itali, quhej prej tyre si “tepër presigjioze”, si “shumë e njohur”, e “mirënjohur” e ku di unë se çfarë, vetëm e vetëm se botonte akuza që i volisnin opozitës dhe opozitarëve tanë, në betejën e radhës kundër mazhorancës dhe qeverisë në Tiranë.
Pak rëndësi ka se si do të etikohet pas kësaj edhe gazeta britanike “The Times” nga opozita, njerëzit e Lulzim Bashës, apo edhe nga ai vetë. E rëndësishme është që institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri, të japin provën se tashmë as nuk intimidohen dhe as nuk sugjestionohen, por vetëm bazohen tek provat, faktet dhe të vërtetat juridike, për të ndarë fajësinë nga pafajësia. Për të gjetur fajtorët apo shpallur të pafajshmit. Sepse vetë janë betuar: “Të vendoset Drejtësia, pa dhe Bota të përmbyset”!